RTSH Sport Live

Teuta, trajneri Martini: Të shkojmë deri në fund

  • 16/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta, trajneri Martini: Të shkojmë deri në fund
Trajneri i durrsakëve shfaq objektivat: kërkon maksimumin në Kupë dhe kampionat

Barazimi me Kastriotin ka lënë një shenjë të thellë por koha nuk pret dhe skuadra duhet të shikojë përpara. Ishte kjo kryefjala e konferencës së shtypit në kampin durrsak përpara çerekfinales së Kupës kundër Kukësit. Trajneri Edi Martini u ndal fillimisht te ai hap fals ndaj krutanëve që sipas tij duhet të shërbejë si leksion për të vazhduar përpara.

“Në ndeshjen me Kastriotin kemi nxjerrë mësimet e duhura. Një sfidë që duhet ta kishim fituar,  ndoshta e fituam pak para kohe. Duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet e bëra”.

Kukësi është një kundërshtar jo shumë komod për “Djemtë e Detit” që gjithsesi mbështeten te statistikat e këtij sezoni ku janë në avantazh edhe pse kjo është një histori tjetër.

”Kukësi është ekip mjaft i mirë, por po të na krahasosh ne me ata, jemi më lart. Në dy ndeshje me ta kemi barazuar këtë sezon dhe kemi fituar një herë në fushën e tyre. Kemi qenë superiorë dhe na kanë barazuar në fund”.

Trajneri shkodran fërkon duart pasi ka në dispozicion skuadrën e plotë. “Të gjithë lojtarët janë në dispozicion, përveç Grudës që nuk do jetë pjesë e ekipit, të tjerët janë gati”.

Kupa apo kampionati? Janë dy objektiva që në Durrës i konsiderojnë të arritshme në të njëjtin sezon.

“Këtë sezon kemi objektiv Kupën dhe kampionatin. Deri tani jemi në rrugën e duhur pavarësisht barazimit të fundit. Kemi bërë një grup që të përballojë të dy kompeticionet, kështu që nuk i ndaj Kupën apo kampionatin, megjithëse po të lija njërën për tjetrën do doja kampionatin. Jemi ekip që bëjmë lojën tonë dhe nuk presim asnjë veprim tjetër jashtë fushës. Ndeshjeve po i vjen fundi, ka nisur numërimi mbrapsht dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Partizani është rival direkt, por më parë kemi ndeshjen e Kupës”, ka deklaruar Martini.