RTSH Sport Live

Teutës i mjafton Goxha për tri pikët

  • 07/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Teutës i mjafton Goxha për tri pikët
Durrsakët mundin Bylisin 1-0 dhe kapërcejnë në renditje mbi ballshiotët

Një nga takimet e luajtura pasdite ishte edhe ai që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit midis Teutës dhe Bylisit, që u mbyll me fitoren 1-0 të skuadrës vendase. Në fakt, pjesa e parë ka qenë e luftuar, me lojën që zhvendosej sa nga njëri skaj në tjetrin dhe shtylla horizontale i mohon golin Beqjes për Teutën në minutën e 23-të, kurse 10 minuta më pas gardiani i portës vendase, Qirko, është i vëmendshëm pas goditjes së Doit. Me Teutën në kërkim të golit në minutat e fundit, por pa e mposhtur dot Teqjen, është mbyllur pjesa e parë.

Ajo e dyta, përtej një nisjeje të mirë nga ana e durrsakëve, ka parë ballshiotët të marrin në dorë frenat e lojës dhe, në 3 raste brenda 6-7 minutash, nga e 64-t, në të 70-tën, miqtë do të shpërdorojnë mundësi të shkëlqyera për të shënuar. Fillimisht është Adili që provon nga larg, por pa rezultat, ndërsa në dy raste të njëpasnjëshme, Souza dhe Eskerdinja shkojnë dëm dy mundësi të arta për të tundur rrjetën e Qirkos. Dhe rregulli i pashkruar i futbollit do ta ndëshkojë Bylisin, pasi 13 minuta para fundit të kohë së rregullt, është Teuta që gjen golin e epërsisë.

Çyrbja harkon drejt zonës dhe Goxha godet me kokë topin, duke përshënder rrjetën e Aldo Teqjes. Edhe pse Bylisi do të përpiqet, por Teuta do ta mbrojë deri në fund fitoren minimale dhe do të marrë 3 pikët që e ngjisin në renditje mbi ballshiotët, në vendin e 7-të, me 24 pikë.