RTSH Sport Live

Tifozët nuk mjaftojnë, Vllaznia eliminohet

  • 29/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Tifozët nuk mjaftojnë, Vllaznia eliminohet
Kuqeblutë janë mundur 1-0 dhe në ndeshjen e kthimit përballë AEL Limasol, pavarësisht një “Loro Boriçi” të mbushur

Vllaznia kësaj radhe nuk ia ka dalë mbanë të përmbysë. Pas humbjes minimale në ndeshjen e parë, 1-0 të pësuar përballë AEL Limasol në Qipro, të gjithë prisnin përmbysjen e radhës, ashtu siç bëri me Shiroki Brijeg. Por nuk ka ndodhur kështu. Në një “Loro Boriçi” të mbushur, kuqeblutë janë ndëshkuar nga një gol i Scepovic në minutën e 19-të, duke i dhënë kështu lamtumirën Ligës së Konferencës në raundin e dytë.

Një sfidë që nisi me një ritëm të kënaqshëm për skuadrën shkodrane, por që u godit në kundërsulmin e parë të kundërshtarit. Të besuarit e Brdariç duhet thënë se kishin punë edhe me shtyllat në dy raste, me Dilaver dhe Jonuzin, fati nuk ishte në anën e tyre. Përpjekje të shumta deri në sinjalizimin e fundit, por kundërshtari u mbrojt mirë dhe arriti të menaxhojë situatën si duhet.

Gjatë sfidës, sidomos në momentet e fundit, nuk mungoi dhe tensioni. Sende të hedhura nga tribuna, duke përsëritur skenat e ndeshjes me Shiroki, që sigurisht u shoqërua me gjobë. Brdariç dhe stafi reaguan në një situatë që nuk vonoi shumë të kthehej në normalitet. Gjithsesi, humbja nuk mund të shmangej dhe Vllaznia ndalet këtu.