RTSH Sport Live

Tirana, formacion me “arna”

  • 27/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, formacion me “arna”
Shehi mezi gjen 11 lojtarë, pankina e gjitha U-18 me zero ndeshje në sezon

Nëse e kishte menduar veten të limituar gjatë gjithë sezonit te Tirana për numër organike, Orges Shehi duhet të ndryshojë mendje tani, pikërisht përpara ndeshjes së fundit, në të cilën duhet të provojë të fitojë titullin kampion, pavarësisht se instikti i thotë se shpresat janë humbur. Stuhia e ardhur në kohë rekord nga Disiplina, pas penalltisë së kontestuar të akorduar nga Kridens Meta, që i hoqi vendin e parë një javë nga fundi, duke shpërthyer agresionin ndaj zyrtarëve të ndeshjes, e la teknikun bardheblu edhe pa gjashtë lojtarë të tjerë: Albano Aleksi, Aldi Gjumsi, Bruno Lulaj, Florent Hasani, Visar Bekaj e Besir Iseni janë të gjithë të dënuar, duke iu shtuar Patrick, Lushkjas e Nikqit që e kanë mbyllur sezonin.

Atëherë Shehi për ndeshjen e fundit me Erzenin, në të cilën vetëm të fitojë nuk mjafton, sepse Partizani duhet të ndalet me Teutën, ka arnuar si mundi një formacion të aftë të luajë me 3 ose katër mbrojtës, në varësi të zgjedhjes së teknikut. Veterani 42 vjeçar Ilion Lika është thirrur në cështje të mbrojë portën në ndeshjen e dytë të sezonit, pas humbjes në Durrës.

Përpara tij do të luajnë Tosevski, Najdovski, Behiratche, nëse moduli është 3-5-2 dhe Përgjoni në të majtë nëse opsioni është 4-3-3. Në variantin e parë Haxhiu, Deliu, Qefalia, Hila, Përgjoni do të jenë në mesin e fushës, me Abazajn e Berishën përpara. Në variantin e dytë, me Përgjonin në të majtë të mbrojtjes, Haxhiu ngjitet lart në të djathtë të sulmit me Abazaj edhe një herë në qendër si në derbi.

Problemi është pankina, pothuaj të gjithë nën 18 vjeç e pa asnjë ndeshje në sezon të luajtur. Kiri portieri i tretë, mbrojtësat Gjuzi 20 e Meta 17, Gustavo, Ajazi e Tola 18 vjecarët e mesfushës e 20 vjecari Tafa sulmuesi i vetëm në organikë. Me gjithë respektin për talentet e të ardhmes, nëse vetë Shehi, Osmani, Karapici e Plaku do të vishnin uniformën do të krijonin alternative shumë më të vlefshme për teknikun, në një ndeshje, që ndoshta edhe mund të jetë vendimtare.