Është luajtur të mërkurën në mbrëmje edhe ndeshja e kthimit të çiftit tjetër të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, aty ku Teuta dhe Tirana janë ndarë me rrjeta të paprekura, në takimin e luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Kështu, Tirana është kualifikuar për herë të 27-të për në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa fitorja 3-0 në përballjen e parë, të luajtur para dy javësh në fushën e saj, ia bëri më të thjeshtë skuadrës së trajnerit Orges Shehit kualifikimin, pasi ajo administroi mirë rezultatin, duke e mbyllur sfidën e kthimit 0-0.
Në këtë mënyrë, të besuarit e trajnerit bardheblu vijojnë garën për të dy trofetë sezonalë. teksa në finale i pret Egnatia me rrogozhinasit që eliminuan Vllazninë. Skuadra kryeqytetase e administroi mirë rezultatin e për më tepër u tregua më thumbuese në pjesën e parë, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Në të dytën, të dy skuadrat duket u pajtuan me fatin e sfidës dhe nisën të mendonin për kampionatin me zëvendësimet, duke zbehur vijimin e sfidës deri në fishkëllimën përfundimtare, që dekretoi kalimin e bardhebluve në ndeshjen për trofeun.
Kujtojmë se Tirana rikthehet në finalen e Kupës së Shqipërisë pas tre vitesh, teksa për herë të fundit luanin ndaj Kukësit dhe e humbën me shifrat 2-1. Bardheblutë mbeten klubi më i suksesshëm në Kupë, me 16 trofe të fituara, dhe më 1 qershor 2023 do të kërkojë trofeun numër 17, teksa Egnatia e luan për herë të parë në histori një finale të Kupës.