RTSH Sport Live

Tirana, triumf në Ligën “Gjergj Kastrioti”

  • 02/03/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Tirana, triumf në Ligën “Gjergj Kastrioti”
Bardheblutë e çojnë në tre numrin e trofeve të sezonit, sërish mundin Erzenin

Tirana në volejboll për meshkuj për trio me trofe. Pas Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, Kupës së Pavarësisë, tanimë vjen dhe Liga “Gjergj Kastrioti” për të besuarit e Arben Sakos në një fitore të pastër 3-0. Madje është hera e dytë që Tirana triumfon në një finale me Erzenin, ndërsa po 3-0 e pat mundur dhe në Prishtinë nëntorin e kaluar në Kupën e Pavarësisë.

Tirana e ka nisur mirë këtë ndeshje, ndërsa ka fituar setin e parë 25-21. Dominon dhe në të dytin, teksa shifrat janë 25-18. Më pas me përmbysje ia del në setin e tretë, që ka shifrat 25-21. Ndërkohë janë shpallur dhe lojtarët më të mirë të Ligës “Gjergj Kastrioti” për meshkuj, të cilët ishin Azarov (Erzeni), Lapera (Tirana), Baruti (Tirana), Kristi Martiro (Tirana), Ledion Martiro (Tirana), Aldo Dashi (Erzeni), Lumani (Tirana) dhe Çali (Tirana).

E më pas drejtuesit e të dy Federatave, Erlind Pëllumbi dhe Valon Nikqi, apo dhe Dashamir Brari dhe Albens Vokopola kanë dorëzuar medaljet dhe kupën për Tiranën, si dhe medaljet për finalistët, që ishin lojtarët e Erzenit.