RTSH Sport Live

Toleroi notarët kinezë të dopuar, Felps dhe Shmid kërkojnë reformimin e “WADA”

  • 26/06/2024
  • |
  • Të tjera
Toleroi notarët kinezë të dopuar, Felps dhe Shmid kërkojnë reformimin e “WADA”

Gjatë një seance dëgjimore në Kongresin Amerikan yjet e notit kanë kërkuar reforma të thella në Agjensinë Ndërkombëtare të Anti-doping (WADA). Ky hap është bërë nga ish-atletë në sportin e notin pas një investigimi të publikuar nga “New York Times” dhe “ARD”.

Majkëll Felps së bashku me Alison Shmid kanë kërkuar reforma të thella pranë “WADA” për mënyrën se si kjo e fundit ka menaxhuar skandalin me 23 notarët kinezë në 2021-in.

Vetëm pak muaj më parë “New York Times” dhe “ARD” kanë bërë me dije se plot 23 notarë nga Kina kanë rezultuar pozitiv në testet anti-doping pasi në trupin e tyre kishin një substancë të ndaluar siç është trimetazidina (ndihmon atletët që të përmirësojnë performancën e tyre).

Të dy mediet kanë bërë me dije se WADA nuk ka marrë asnjë masë karshi 23 atletëve pasi kanë marrë si të mirëqenë alibinë e autoriteteve kineze, të cilët kanë justifikuar sportistët duke thënë se janë helmuar nëpërmjet ushqimit në një hotel.

Shumë prej atletëve më pas kanë fituar medalje në Olimpiadën e Tokios. 11 prej tyre janë përzgjedhur nga kombëtarja kineze për të përfaqësuar vendin e tyre edhe në “Paris 2024”.