RTSH Sport Live

Turi i 78-të Çiklistik/ Rejhan Aliçkoviç, i pari në Përmet

  • 28/05/2021
  • |
  • Të tjera
Turi i 78-të Çiklistik/ Rejhan Aliçkoviç, i pari në Përmet
Përsëri kryeson Dushan Veselinoviç, të premten mbyllja zyrtare e Turit

Turi i 78-të Çiklistik i Shqipërisë ka mbyllur etapën e katërt, e cila ka patur për itinerar Vlorë – Përmet me një gjatësi prej 142 kilometrash. Një etapë, e cila ka patur për protagonistë fituesin e etapës së tretë, Elbasan – Vlorë, pikërisht Olsian Veliajn dhe çiklistin e ekipit serb Novi Pazar, Rejhan Aliçkoviç.

Deri në Levan, atje ku më pas grupi ka hyrë në autostradën e Tepelenës, të gjithë kanë pedaluar së bashku. Më pas ka nisur shkëputja e Veliajt dhe Aliçkoviç, pas të cilëve ka qenë edhe greku i Alfa Cicling Tim, Jorgos Boutopulos. Të tre së bashku kanë ecur deri në Grykën e Këlcyrës e më pas çiklisti i Novi Pazar ka bërë shkëputjen e madhe, ndërsa ka hyrë i vetëm në Përmet duke e përshkruar këtë etapë në kohën 3h11’47”.

Pas tij, tanimë me të njëjtën kohë, Olsian Veliaj dhe Jorgos Boutopulos, të cilët e kanë prerë vijën e finishit në 3h14’50”. Edhe pas katër etapave vijon të kryesojë Dushan Veselinoviç, ndërsa Gregor Marija Çerne është mbajtësi i fanellës së bardhë si çiklisti më i ri i talentuar i Turit të 78-të të Shqipërisë.

Tanimë Rrethi Çiklistik përfundon të premten, ndërsa në ora 09:00 do të nisë dhe etapa e pestë dhe e fundit, Përmet – Fier me një gjatësi prej 124 kilometrash.