RTSH Sport Live

UEFA: Dialogu kapiten-arbitër, në të gjitha kompeticionet

  • 05/07/2024
  • |
  • Futboll Bota
UEFA: Dialogu kapiten-arbitër, në të gjitha kompeticionet
Tani garat si Liga e Kampionëve për meshkuj dhe femra do të kenë të njëjtën qasje në 2024-25.

Iniciativa e Euro 2024 që synon të kufizojë dialogun me arbitrat ekskluzivisht tek kapiteni i një ekipi do të shtrihet në të gjitha garat e UEFA-s sezonin e ardhshëm. Kështu ka deklaruar organi drejtues i futbollit evropian. UEFA përshëndeti “suksesin” e nismës në një deklaratë për shtyp të lëshuar të premten, sipas së cilës çdo lojtar tjetër që i afrohet arbitrit do të paralajmërohet.

Qasja pasqyron një propozim të ngjashëm që po provohet nga Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) në një përpjekje për të përmirësuar sjelljen e lojtarëve dhe respektin për gjyqtarët. Tani garat si Liga e Kampionëve për meshkuj dhe femra do të kenë të njëjtën qasje në 2024-25.

“Suksesi i kësaj qasjeje të re, i kuptuar nga protagonistët e lojës dhe i mirëpritur nga opinioni publik si një progres i padiskutueshëm për imazhin e futbollit, na forcon besimin se kjo është rruga që duhet ndjekur. Fair-play dhe respekti janë vlera që futbolli, loja më e njohur në botë, duhet të transmetohet në shoqëritë tona”, thuhet në një deklaratë të UEFA-s.