RTSH Sport Live

Vllaznia shkruan historinë

  • 28/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia shkruan historinë
Për herë të parë kualifikohet për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve

Vllaznia e futbollit të femrave shkruan historinë, ndërsa për herë të parë kualifikohet për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Paterson dhe Berisha janë ato që i dhanë shkodraneve fitoren në ndeshjen e kthimit me ukrainaset e Vorskla Karkiv 2, e cila u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa erdhi drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Nuk ka qenë një sukses i lehtë për Vllazninë, ndërsa ukrainaset e kanë kontrolluar pjesën e parë. Madje që në fillim i janë afruar golit me Kalininën, e cila në të 6’ e vetme me portën shkodrane bën më të vështirën, godet jashtë. Vllaznia zgjohet me vështirësi dhe shansi i parë vjen në të 21’.

Goditje dënimi për Vllazninë në të majtë të sulmit. Ka goditur Doçi nga rreth 20 metra, edhe pse në pozicion diagonal me portën ukrainase, por bllokon Heramshuk. Ukrainaset janë të rrezikshme në kundërsulm. Krijojnë, por nuk dinë të shënojnë. Dhe kështu ndodh në të 29’, ndërsa Kotiash, përballë portës së Uilliams, është dobët në finalizim. Dhe kur nuk shënon e pëson e fati është me Vllazninë. Në të 35’, Paterson kalon në avantazh Vllazninë, ndërsa ka shfrytëzuar mjaft mirë krosimin nga e majta të Doçit dhe mes dy mbrojtësve mike e ka dërguar topin në rrjetë. Në minutat shtesë mikeshat mund të kishin barazuar, por as Kotiash e as Radionova nuk kanë shënjestrën e duhur.

Pjesa e dytë nis e përgjumur nga të dy ekipet dhe qetësinë e prish Vllaznia, ndërsa në të 67’, Veronika Markez gjuan jashtë. Madje e njëjta lojtare në të 73’ është bllokuar nga Heramçuk. Pesë minutat e fundit janë të vrullshme, sepse Vorskla Karkiv fiton penallti, kjo pas prekjes së topit me dorë të Maliqit. Por fati është me Vllazninë, teksa topi i Opinian bie në tra e më pas largohet nga shkodranet.

Mirëpo nga goditja e këndit dhe nga dalja e gabuar e Uilliams përfiton Korsun, që barazon në të 85’. Minuta ankthi tek shkodranet, të cilat çlirohen nga Berisha, që me atë gjuajtje potente i ka dhënë kualifikimin për në fazën e grupeve Vllaznisë. Një arritje e madhe për Vllazninë, por dhe për të gjithë futbollin e femrave në Shqipëri, teksa tanimë elita e futbollit europian të vajzave do të ketë dhe një skuadër shqiptare.