Kampionati Kombëtar i Volejbolli për Femra ka luajtur të enjten duelin e parë të finales së “play-off”-it për trofeun e madh. Siç dihet, finalja do të jetë një derbi i kryeqytetit kjo finale, pasi Partizani po përballet me Tiranën. Dhe të kuqet e kryeqytetit, që e patën mbyllur që të dielën në dy përballje çështjen e kualifikimit për në finale, duke triumfuar ndaj Barleti Volejit, kanë triumfuar në 3 sete në duelin e parë me rivalet bardheblu, të cilat, nga ana e tyre, kanë patur nevojë për një duel të 3-të për të mposhtur Vllazninë.
Dhe faktori fizik ka vendosur shumëçka të enjten në mbrëmje, në duelin e zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit, që është mbyllur pas vetëm 70 minutash. Partizani i drejtuar nga trajneri i ri, Andi Lundra, e ka ka mbizotëruar setin e parë, duke u shkëputur dhe duke e fituar atë pas 22 minutash lojë me rezultatin e thellë 25-12.
Seti i dytë ka nisur më mirë për Tiranën, por vetëm kaq, sepse Partizani vijon të përmbysë shifrat dhe ta marrë edhe setin e dytë brenda 21 minutash lojë, me shifrat 25-15. Vajzat bardheblu ka luftuar më fort në setin e 3-të, që ka zgjatur 27 minuta, duke kryesuar vazhdimisht. Por lodhja ka bërë të vetën dhe Partizani merr kryesimin në fund, duke e marrë këtë set 25-21 dhe gjithë takimin 3-0. Takimi i dytë do të luhet të shtunën në mbrëmje.