RTSH Sport Live

Volejboll Meshkuj/Partizani, fitore në frymën e fundit

  • 09/04/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Meshkuj/Partizani, fitore në frymën e fundit
Seti final dhe pikët shtesë nxjerrin triumfator të finales së parë skuadrën e kuqe

Dy orë e gjysëm lojë dhe një betejë e ethshme në finalen e parë të titullit kampion në volejboll për meshkuj mes Partizanit dhe Erzenit. Gjithçka ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes në ndeshjen e luajtur në sallën olimpike “Feti Borova”, atje ku është kërkuar seti final dhe pikët shtesë në të për të përcaktuar fituesin.

Partizani e ka nisur mirë ndeshjen, ndërsa me një “shpejtësi rrufe” fiton setin e parë 25-15. E nis mirë të dytin Erzeni, teksa kryeson deri në 5-9 dhe 8-10. E më pas përmbys Partizani në 22-19, 23-21 derisa seti fitohet nga të kuqtë e Ylli Tomorrit, 25-22.

I treti është më i ekuilibruar me dëshirën e Erzenit për ta shtyrë sa më shumë këtë ndeshje me mundësinë e rrëmbimit të fitores. 5-9, 12-10, 17-19, 21-22 dhe kërkohen pikët shtesë për të fituar setin pas së cilës janë shijakasit triumfator 24-26.

I katërti përsëri është i ekuilibruar, por që në fund ka Erzenin fitues 22-25. Luhet pikë më pikë në setin final; 8-7, 9-7, 12-12, 12-13, 13-13 dhe herë njëra e herë tjetra skuadër ka humbur mundësinë e fitimit. Por në pikët e shtesë, edhe për shkak të një hutimi e mosreagimi të shijakasve, është Partizani fitues 17-15 dhe krejt ndeshja 3-2 për të kuqtë e Ylli Tomorrit.

Tanimë finalja e dytë për titull kampion në volejboll për meshkuj do të luhet të dielën duke nisur nga ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, Durrës.