RTSH Sport Live

Vora e Elbasani, mes gëzimit dhe hidhërimit

  • 12/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora e Elbasani, mes gëzimit dhe hidhërimit
Festë tek skuadra e Merxhushit, mërziti tek verdheblutë e Merxhës pas finales

Mbrëmja e së enjtes ka qenë edhe më festive për Vorën dhe drejtuesit e saj, të cilët janë shpallur kampion të Kategorisë së Dytë për sezonin 2022-2023. Gjithçka ka ndodhur pas fitores me Elbasanin, 2-1, me dygolëshin e Avdiut, kurse protagonistët e suksesit, teksa kanë konfirmuar dhe qëndrimin e tyre në të njëjtën skuadër edhe sezonin tjetër, kanë qenë më shumë se sa të kënaqur.

"Jam shumë i kënaqur për arritjen e objektivave. Pikësynimi im ishte të dilnim në Kategorinë e Parë. Kjo ishte kupë luksi. Megjithatë i falënderoj të gjithë çunat e ekipit për sakrificën dhe për mundin e gjithë vitit", nënvizon Jasemin Rraboshta.

"Shumë i kënaqur sepse ky ishte mundi i gjithë kësaj sakrifice dhe besoj se u shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme", thekson Orjan Xhemalaj.

"Ishte një kampionat shumë i gjatë. Kemi bërë shumë mirë gjatë kampionatit, edhe pse e nisëm pak keq. Por duke parë cilësitë e ekipit dhe cilësitë individuale të secilit prej lojtarëve atëherë besoj se ia kemi arritur qëllimit dhe jemi shumë të lumtur sepse e kemi merituar këtë titull", bën të ditur kapiteni Eglentin Gjoni.

Ndërkohë finalja e Kategorisë së Dytë ndaj Elbasanit ishte dhe ndeshja e fundit në fushën e lojës për Isli Hidin, që tanimë do të vazhdojë karrierën si trajner.

"Doja një dhuratë të madhe, sepse si të thuash kjo është ndeshja ime e fundit që unë jam aktiv në futbollin e luajtur. Kam vendosur të tërhiqem për futbollin e luajtur, por do të kontribuoj tashmë si trajner", bën të ditur legjenda e portës, Isli Hidi.

E Vora në Kategorinë e Parë absolutisht është punë e jashtëzakonshme e trajnerit Artan Merxhushi, i cili është “arkitekti” i ndërtimit të këtij ekipi

"Nuk ishte aspak e lehtë, sepse ishte një skuadër e formuar rishtaz me lojtarë me eksperiencë, por dhe me futbollistë të rinj. Veçse në fund morëm frytet e punës, disiplinës, seriozitetit dhe investimeve duke bërë të lumtur një qytezë të vogël si Vora, pa emër shumë në futboll, por që po i bën gjërat ashtu sikurse duhet", deklaron Artan Merxhushi.

Ndërkohë tek Elbasani ka patur keqardhje për atë humbje, aq më tepër që suksesi i Vorës erdhi me përmbysje. Por për trajnerin e verdhebluve, Eriol Merxha, e rëndësishme është që skuadra është ngritur në Kategorinë e Parë.

"Na dënoi vetëm fati sepse në fakt patëm shumë raste për të fituar ndeshjen. Megjithatë gjej rastin të falënderoj çunat pasi bënë një ndeshje shumë të mirë. Mendoj se e meritonim ne ta fitonim, por ky ishte fati", ka përfunduar Eriol Merxha.