RTSH Sport Live

Vora nuk ndalet nga askush

  • 01/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora nuk ndalet nga askush
Skuadra e Mergjyshit mund dhe Gramshin 3-0 dhe shkon në kuotën e 41 pikëve

Vora ka hedhur dhe një hap tjetër drejt ngjitjes në Kategorinë e Parë. Pikërisht në javën e shtatëmbëdhjetë të Kategorisë së Dytë, grupi A, Vora ka fituar në stadiumin e vet 3-0 ndaj Gramshit në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Nuk ka qenë i lehtë suksesi i djemve të Artan Merxhushit, aq më tepër Gramshi, edhe duke patur katër lojtarë brazilianë në fushë, është ngjeshur mirë në mbrojtje dhe ka kundërsulmuar rrezikshëm. Mirëpo rezistenca e miqve ka zgjatur vetëm 20 minuta, atëherë kur Balla me një goditje me thembër shënon në të djathtën e portierit Alla. Identik si ky gol vjen goditja e Rraboshtës në të 43’, që dyfishon në fundin e pjesës së parë.

Në 45 minutat e dyta në përpjekjet e shumta të vendësve për të gjetur gola të tjerë mbetet ajo e Ballës në të 65’ dhe në vërshëllimën e fundit të Mehmet Koçit, 3-0 për Vorën, që ngjitet në kuotën e 41 pikëve.

Ndërkohë Veleçiku ka mundur Valbonën 1-0, Naftëtari ka mundur Ilirinë, 2-0, Shënkolli 6-1 Adën dhe Sopoti, 1-0 Murlanin. Kështu Kategoria e Dytë vijon të mbetet interesante me Vorën që nuk e ndal askush.