RTSH Sport Live

Vora shpallet kampione e Kategorisë së Dytë

  • 11/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora shpallet kampione e Kategorisë së Dytë
 Mund AF Elbasanin 2-1 me përmbysje në finalen e sjellë drejtpërdrejt në RTSH Sport

Niveli i 3-të i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë, ka luajtur të enjten finalen e titullit të këtij sezoni, duke kurorëzuar Vorën si fituese të tij. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Merxhushi ka mundur me përmbysje AF Elbasanin, me shifrat 2-1, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Në fakt, kanë qenë verdheblutë që e nisën më mirë takimin, duke gjetur rrugën e rrjetës me Lleshin në minutën e 19-të.

Por skuadra e Vorës ka nisur të reagojë dhe, në minutën e 26-të, do të barazojë shifrat me anë të Avdiut.

Edhe pse Elbasani rrezikoi të kalonte sërish në epërsi në minutat e fundit të saj, pjesa e parë është mbyllur në barazim 1-1. Edhe e dyta ka parë verdheblutë të kërkojnë me ngulm golin dhe vetëm portieri fillimisht dhe më pas shtylla do t’ia mohojnë atë pas një ore lojë. Por Avdiu u kthye në hero për skuadrën e Mërxhushit, duke shënuar dhe golin e dytë në minutën e 78-të.

Përtej përpjekjeve të Elbasanit, që e mbylli sfidën me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Jaupit në minutën e 97-të, Vora e mbron fitoren dhe bashkë me të siguron edhe titullin simbolik të kampiones së Kategorisë së Dytë. Sidoqoftë, të dyja skuadrat e kanë siguruar më herët ngjitjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.