RTSH Sport Live

Vora, tjetër hap drejt së parës

  • 18/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora, tjetër hap drejt së parës
Fitore me përmbysje në Bajram Curri, 3-1, kurse kreu është i tëri për ekipin e Merxhushit

Vora ka bërë një tjetër fitore spektakolare, teksa në javën e gjashtëmbëdhjetë të Kategorisë së Dytë ka triumfuar në transfertën e Bajram Currit, 3-1. Një ndeshje e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa skuadra e Artan Merxhushit, nisur dhe nga rezultatet e kësaj jave, është shkëputur dhe më nga ndjekësit më të afërt.

Në fakt ndeshja ka nisur me një befasi për Vorën, teksa në aksionin e parë sulmues, Vilson Mziu, nga një distancë prej rreth 16 metrash e dërgon topin në trekëndëshin e majtë të portës së Vorës. Gëzimi i madh tek tropojanët, por që në fakt zgjat vetëm dy minuta. Magani në të 3’, krejtësisht i pambuluar dhe i vetëm me portën e boshatisur të Valbonës, ka përcjellë topin në rrjetë. Në të 15’, Prengaj vendos dominimin e Vorës, teksa shënon golin e dytë, kurse kështu të besuarit e Artan Merxhushit përmbysin. E për t’i vënë siguresën fitores ka ardhur dhe njëmbëdhjetëmetërshi në fundin e pjesës së parë, teksa Raboshta është penguar në depërtimin e tij nga Mziu e Paja dhe Shahini nuk ka hezituar të drejtojë dorën tek pika e bardhë. Godet Raboshta dhe 3-1.

Pjesa e dytë, me përjashtim të goditjes së traut nga Mziu, ishte një administrim i rezultatit nga Vora, që feston pikërisht në Bajram Curri. Në ndeshjet e tjera Gramshi e Naftëtari janë ndarë në barazim 1-1. Veleçiku ka befasuar Sopotin, teksa ka fituar në Librazhd, 2-0. Murlani ka mundur Adën 1-0, kurse Bulqiza ka fituar 4-3 me Shënkollin. E kështu rezultatet janë në favor të Vorës, që është pesë pikë larg Veleçikut të vendit të dytë, 7 pikë larg Sopotit të vendit të tretë dhe 8 pikë larg Valbonës së vendit të katërt. Pra tanimë udha është shtruar për të parë sezonin e ardhshëm Vorën në Kategorinë e Parë.