RTSH Sport Live

Vora, triumf historik ndaj Tiranës

  • 25/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora, triumf historik ndaj Tiranës
Fatmir Prengaj dygolësh në miqësore, kurse skuadra e Mërgjyshit gjen suksesin e radhës

Dy gola të Fatmir Prengës dhe Vora e Artan Mërgjyshit është fituese në ndeshjen miqësore ndaj Tiranës, e luajtur të shtunën në stadiumin e kryesueses së grupit A të Kategorisë së Dytë.

Tirana, që vinte pas barazimit në kampionat 1-1 me Bylisin, e kishte këtë miqësore si një test kontrolli për të parë gjendjen e lojtarëve dhe për t’u përgatitur më mirë për ndeshjen e radhës me Erzenin në garën e rregullt. Për Vorën më tepër ishte një miqësore luksi si një mundësi për t’u bashkë të dy klubet. Jo më kot i pranishëm në stadiumin e Vorës ishte dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Vora është më kërkuese, ndërsa Fatmir Prengës në pjesën e parë i paraqiten dy momente, të cilat nuk kanë shënjestrën e duhur. Tirana mundohet, por bie preh e grackës së mbrojtjes së Vorës, e cila luan mirë pozicion jashtë loje. Përtej përpjekjeve të të dy ekipeve, pjesa e parë ka përfunduar në barazim pa gola, 0-0.

E dyta ka nisur me gol, ndërsa Fatmir Prenga në të parën mundësi ideale përballë portierit Lika nuk fal. Tirana rrit presionin, por përballë një mbrojtje të ngjeshur të Vorës e ka të vështirë të depërtojë. 12 goditjet e këndit nuk prodhojnë asgjë me përjashtim të një goditje traun nga Iseni në të 70’. Dhe në të 82’ lind dhe goli i dytë i Vorës, që ka autorësinë e Fatmir Prengës. 2-0 në vërshëllimën e fundit të Besnard Kaimit, kurse Vora vazhdon serialin e fitoreve radhazi jo vetëm në kampionat, por dhe në ndeshje miqësore. Gjithçka erdhi drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.