RTSH Sport Live

Zekiç nuk shikon rivalë të qartë

  • 17/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Zekiç nuk shikon rivalë të qartë
Trajneri i Partizanit e shikon kampionatin një betejë të ashpër

Partizani pret Egnatian në ndalesën e katërt sezonale. Një duel me dy skuadra që objektiv kanë titullin dhe nga ajo që kanë treguar në këto javë të ngjeshura, mund të shkojnë deri në fund si të barabarta. Në prag të këtij dueli, trajneri i të kuqve, Zoran Zekic flet për kalendarin e ngjeshur por nuk i trembet aspak faktit që do të luajë shumë ndeshje brenda pak ditësh.

“Nuk është shumë e vështirë sepse tashme jemi në ritëm. Do të luajmë 6 ndeshje në 24 ditë dhe jemi të përgatitur për t’i bërë ballë edhe këtij kalendari sepse kemi një organikë të kompletuar. Kemi ende probleme me dëmtimet sepse Mensah nuk është në gjendje të mirë por edhe Mba ka nisur të punojë por është ende larg formës së tij më të mire”.

Zekic ndalet më pas edhe te një përshtypje e shkurtër për futbollin shqiptar me aq sa ai ka arritur të shikojë në këto javë të para.

“Nuk e di se çfarë mund të them për atë që po shikoj në këto ndeshej të para të kampionatit. Nëse bëjmë një krahasim me vendin tim Kroacinë, aty ka një skuadër favorite që është Dinamo e Zagrebit. Nuk është kështu në Shqipëri sepse çdo javë ke ndeshje shumë të vështira dhe nuk mund të nënvlerësosh asnjë skuadër”.

Për kroatin, ky kampionat nuk ka rivalë të qartë dhe Partizani duhet t’i bëjë llogaritë mirë me të gjithë.

Egnatia është një klub me buxhet të rëndësishëm që ka bërë lëvizje të rëndësishme dhe do të jetë një kundërshtar shumë i fortë për ne nesër por dua të them që i tillë do të jetë çdo kundërshtar deri në fund të sezonit. Kampionati sapo ka filluar dhe ky nuk është një sprint. Ne duhet të luajmë ndeshje të mira në vazhdimësi. Nuk ka ekipe që janë më të forta, por më lejo të them që Tirana është një skuadër e mirë ashtu si edhe Vllaznia por këtë e pamë edhe ndaj Laçit që tregoi një nivel shumë të mire”.