RTSH Sport Live

Zivkovic akuzon për kërcënime dhe dhunë, reagon Kukësi

  • 03/12/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Zivkovic akuzon për kërcënime dhe dhunë, reagon Kukësi
Verilindorët kanë reaguar pas deklaratave të sulmuesit në mediat boshnjake

Ante Zivkovic shkon në ekstrem ndërsa ka akuzuar klubin e Kukësit për kërcënime dhe dhunë. Sulmuesit i është komunikuar nga ana e verilindorëve se nuk bën më pjesë në planet e tyre, por historia e treguar nga ana e tij shkon në ekstrem. Ndërkohë, i menjëhershëm ishte dhe reagimi nga ana e Kukësit, që ka dhënë versionin e tij në lidhje me këtë ngjarje. Verilindorët hedhin poshtë të gjitha akuzat e sulmuesit të bëra gjatë ditës së sotme dhe se janë treguar korrekt, ashtu si në çdo rast tjetër, me detyrimet ndaj lojtarit.

REAGIMI I KLUBIT:

Futboll Klub Kukësi hedh poshtë të gjitha akuzat e publikuara ditën e sotme në media nga futbollisti Ante Zivkovic për kërcënime dhe dhunë nga ana e klubit!

Sulmuesit Zivkovic i është komunikuar nga klubi se nuk bën pjesë në planet e klubit dhe është thirrur për të mbyllur bashkëpunimin në përputhje me kontratën. Në këtë mënyrë, klubi i ka paguar futbollistit shumën e parashikuar në kontratë për mbylljen e bashkëpunimet.

Për shkak se klubi e ka larguar futbollistin si të padëshiruar, Zivkovic ka hedhur akuza të pabaza ndaj Kukësit duke tentuar të dëmtojë imazhin.

Për deklaratat e dhëna dhe akuzat e hedhura, klubi i Kukësit do ti drejtohet instancave më të larta për prishje imazhi.  Për këtë, FK Kukësi ju garanton se gjithçka ka ndodhur është e faktuar me pamje filmike dhe provat do të vihen në shërbim të instancave përgjegjëse.

Klubi i Kukësit ka qenë ndër vite një klub korrekt me futbollistët dhe jo vetëm e kurrë nuk mund të lejojë që një futbollist i larguar, të tentojë të prishë imazhin e klubit.