Të luash me top është një art më vete në këtë terren me pluhur dhe shkëmbor ku rrëzimi është sinonim i lëndimit. Megjithatë, futbollistët e vegjël të Palmeiras në Brazil luajnë fort të motivuar për të shpëtuar një stil loje futbolli që duket se është në rrezik të zhdukjes: 'jogo bonito' Lojën e bukur në rrugë. Trajneri Renan Tavares vërshëllen dhe pesëdhjetë lojtarët nga kategoria nën 12 vjeç mblidhen në mes të një fushe të fshehur midis shtëpive dhe ndërtesave në lagjen Vila Palmeiras, në veriperëndim të São Paulo.
Stërvitja e kësaj jave në këtë fushë futbolli me cilësi të dobët dhe të improvizuar, simulon gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës Libertadores. Të miturit inkurajohen të fitojnë “trofeun”, por të gjithë e dinë se arsyeja e të qenit aty, në një drejtkëndësh toke është diçka tjetër. “Objektivi i madh dhe i përgjithshëm është të shpëtojmë pedagogjinë e futbollit në rrugë, përmes stimujve, me të cilët ata do të kenë lirinë për të luajtur, për të qenë në gjendje të zhvillojnë koncepte individuale pa presionin e stërvitjes”, shpjegon Tavares.
Për gjashtë vitet e fundit, skuadrat e të rinjve nga 10-14 vjeç të Palmeiras, kanë vizituar skuadrat në lagje të zonës metropolitane të Sao Paulos. Me këtë iniciativë, Palmeiras synon të rrisë aftësitë e futbollistëve të saj të ardhshëm duke imituar formacione të ngjashme me ato të legjendave të mëdha të futbollit, të cilët zakonisht ia atribuojnë një pjesë të talentit të tyre mësimit të futbollit në lagje. Imazhet e Diego Maradonës duke iu shmangur rivalëve në Buenos Aires ose historitë e topave të bëra me çorape dhe gazeta me të cilat Pele luajti në vendlindjen e tij Três Corações janë trashëgimi futbolli.
"Këtu futbolli i rrugës nuk vdes. Nëse luan mirë këtu, je i mirë edhe në fushë," thotë David Lima, 12-vjeçar që luan si mesfushor i majtë. “Djemtë e Palmeiras-it ka shumë aftësi për të dribluar, kanë më shumë agresivitet në këmbë, duke kërkuar të shpëtojnë atë futboll të bukur që ka si qëllim pikërisht driblimin”, - thekson trajneri Tavares.
Fëmijët kënaqen duke luajtur në këto lloj fushash, pavarësisht se gropat, gurët dhe kërcimet e vazhdueshme të topit e bëjnë të vështirë lojën. Përveç lustrimit të teknikës dhe mbajtjes së gjallë të stilit kryesor të futbollit brazilian, iniciativa synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin midis talenteve të ardhshme të Palmeiras.