RTSH Sport Live

“Paris 2024”, rasti i parë me Covid-19

  • 23/07/2024
  • |
  • Sporte të tjera
“Paris 2024”, rasti i parë me Covid-19
Një nga pjesëtarët e ekipit të vaterpolos së Australisë infektuar me virusin e rrezikshëm

Covid-19 lë tashmë gjurmët e tij edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Të marten, Ana Mirs, shefja e misionit të skuadrës australiane për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ka konfirmuar që një nga sportistët e delegacionit australian ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Në fakt identiteti i sportistes nuk është bërë i ditur, ndërsa Mirs ka treguar vetëm se bëhet fjalë për një lojtare të vaterpolos.

“Kemi patur një sportiste të skuadrës së vaterpolos, që është e izoluar për shkak të infektimit me Covid-19, e konstatuar të hënën në mbrëmje”, ka shpjeguar në konferencën për shtyp shefja e delegacionit të Australisë, ashtu sikurse raporton gazeta franceze “L’Ëkip”. “Do të doja të nënvizoja se Covid-19 e trajtojmë në të njëjtën mënyrë si viruset e tjera, apo si grip. Nuk jemi në Tokio.

Sportistja nuk ndihet veçanërisht keq dhe vazhdon të stërvitet normalisht, por flen vetëm në një dhomë të posaçme”, ka shtuar Ana Mirs. Shefja e misionit të Australisë ka shpjeguar se shoqet e skuadrës së sportistes së infektuar do të mbajnë një maskë dhe do të respektojnë protokollet.

Të shtunën nis turneu i vaterpolos për vajza dhe sportistja e infektuar me Covid-19 do të marrë pjesë vetëm pasi të ketë marrë konfirmimin e mjekut përgjegjës të delegacionit australian.