Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, deklaroi në fjalën e tij hapëse në ceremoni zyrtare të vlerësimit të medalistëve olimpikë se qeveria duhet të kthejë në prioritet rritjen e buxhetit për Federatat shqiptare dhe KOKSH-in. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të synojë medalje me të njëjtat buxhete si 20 vite më parë.
“Sot kemi një ligj më të mirë për sportin, do bëhet edhe më mirë nëse plotësohet me ligjin e sponsorizimit, kemi garda ushtarake, investime në infrastrukturë, palestra sportive, pallate sporti. A mjaftojnë këto buxhete? Sigurisht që jo. Kur sheh shtetet fqinje që e kanë buxhetin vjetor disa herë më të madh
Qeveria të kthejë në prioritet rritjen e buxheteve për federatat dhe KOKSH. Nuk mund të synojmë medalje me të njëjtat buxhete si 20 vite më parë”, deklaroi Ylli.
Presidenti i KOKSH theksoi se sporti nuk bëhet vetëm me dëshirë, disiplinë e talent, por ka nevojë edhe për para, investime dhe strategji.
“Jeni heronjtë tonë kombëtar. Sporti nuk bëhet vetëm me talent, por ka nevojë për para dhe investime. Ato para dhe investime nuk mjaftojnë, në shumë raste shpenzohen dhe rezultate nuk ka.
Sot kemi 2 medalje olimpike, por para se të shkonim te këto dy medalje, në 3 vitet e fundit janë fituar plot medalje ari, argjendi dhe bronzi në të gjitha disiplinat sportive. Punë e jashtëzakonshme e federatave shqiptare”, theksoi Ylli.
Mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev i kanë dhuruar Shqipërisë dy medalje historike në Lojërat Olimpike të Parisit. Valievi fitoi medaljen e parë të bronztë në historinë e Lojërave Olimpike. Ai mposhti me rezultatin 6–2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.