Alban Bushi dhe 37 talentet, të cilët janë pjesë e programit “Elite Youth Development Academy” ishin protagonistë të një takimi ku trajneri i Kombëtares U21 zhvilloi një bisedë të hapur.
Si fillim ish-sulmuesi foli mbi jetën e tij dhe më pas nisi edhe të bashkëbisedonte me ta. Trajneri Bushi rrëfeu për fillimet e karrierës së tij si futbollist, në klub dhe Kombëtare, sfidat dhe sakrificat e bëra drejt ëndrrës për t’u bërë lojtar profesionist dhe rëndësinë e fanellës së Kombëtares dhe përfaqësimi i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Fëmijët u përfshinë vazhdimisht në bisedë, duke i drejtuar pyetje rreth momenteve kyçe të karrierës së tij, si: goli më i veçantë që ka shënuar, lojtari i preferuar, lojtarët më të vështirë më të cilët është përballur, emocionet e ndeshjeve me Kombëtaren etj.
Në fund, trajneri i Kombëtares U21 dha disa rekomandime për lojtarët e rinj, nisur nga eksperienca e tij personale, si futbollist e tashmë si trajner. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që një futbollist i ri të ketë një qëllim të qartë dhe të punojë me zemër rreth atij qëllimi, duke qenë i disiplinuar dhe duke punuar në grup, për të arritur qëllimet individuale dhe të skuadrës.