RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Tirana ka agresivitetin, Kukësi i qartë, Partizani me fat

  • 06/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Tirana ka agresivitetin, Kukësi i qartë, Partizani me fat
Shkëlqim Muça në studion e emisionit, “Rubrika Sportive” në RTSH Sport

Tirana ruan kreun me një fitore ndaj Egnatias, Kukësi “fundos” Kastriotin, Partizani rikuperon në renditje me një fitore ndaj Skënderbeut, Vllaznia e mbetur me 10 lojtarë merr një barazim përballë Teutës. Gjithçka që ndodhi në javën e 11-të të Abissnet Superiore në një analizë të Shkëlqim Muçës në Rubrika Sportive në RTSH Sport.

Dominimi i Tiranës ndaj Egnatias - “Tirana ishte shumë e karikuar, që në fillim sulmoi dhe asnjë moment nuk e vuri në dyshim. Egnatia ia bëri më të lehtë pasi luajti hapur. Nuk mund t’i luash Tiranës në atë mënyrë. E kam thënë edhe më parë, skuadra të tilla duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, nuk mund të luash në këtë mënyrë. Edhe ndryshimet kanë tronditur, trajneri që vjen ka filozofi tjetër. Skuadrat që kërkojnë të mbijetojnë, patjetër që në shtëpi duhet të tentojnë të marrin pikë. Tirana ka agresivitetin, por goditet edhe kollaj kur sulmon. E kam thënë edhe më parë, kur humbet agresivitetin, bëhet një skuadër e zakonshme”.

Qartësia e Kukësit - “Pjesa e parë kishte raste nga të dyja skuadrat. Kastrioti ka një veti që po shënoi pastaj mbyllet dhe bëhet e vështirë. Por Kukësi vazhdon të jetë në çdo ndeshje i përqëndruar, të gjithë e kanë kuptuar, nga fillimi në fund janë të qartë në lojën e tyre. Edhe mund të kenë hapa të gabuar se kampionati është i gjatë, por nuk besoj se do kenë rënie. Mendoj se trajneri është kryesori në këtë ecuri të mirë”.

Dinamo nuk ka frymë grupi - “Laçi ka lojtarë, i duhej një dorë. Kur Josa mbërriti te Laçi e kam mbështetur shumë, pasi punon shumë dhe ka ekspreriencë. Megjithatë, akoma nuk e ka arritur atë stabilitetin maksimal. Në këto moment i duhen pikët.Dinamo nuk ka treguar karakter në tërsi si skuadër, por dhe fjalët e trajnerit në publik nuk më kanë pëlqyer. Kur godet skuadrën, ke goditur veten tënde. Kur një skuadër nuk përgjigjet, duhet parë se ku qëndron problem. Dinamo nuk ka ekuilibër, kur goditet shthuret menjëherë taktikisht. Mund të them se te blutë nuk shikoj frymë grupi”.

Partizani pa lojë, por me fat - “Pamë një ndeshje të luftuar, edhe nga Skënderbeu që u mund. Partizani nuk ka ndryshime në lojë, por ka më shumë fat. Në lojë nuk është aty ku duhet, krijon shumë pak raste, pavarësisht se po luan në fusha të mira. Skuadra është konfuze, ka moment që shuhet si skuadër. Tani që ka stabilitet në formacion, mund të bëjë më mirë. Shikoj që lojtarët që futen, nuk e ndryshojnë lojën dhe ky është një problem i madh”.

Barazimi i Vllaznisë me Teutën - “Teuta në këto ndeshje ka treguar që nuk është në nivelet që pritej. Ishte një ndeshje e pabarabartë për numrin e lojtarëve, por Teuta nuk e shfrytëzoi. Vllaznia tentoi deri në fund për ta fituar këtë sfidë, ndërsa Teuta nuk u mundua për më shumë, pavarësisht superioritetit”.