RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Vllaznia sulmuese, Tirana me dy fytyra, Teuta-Partizani nën nivel, Dinamo na kishte munguar

  • 13/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Vllaznia sulmuese, Tirana me dy fytyra, Teuta-Partizani nën nivel, Dinamo na kishte munguar
Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e “Rubrika Sportive” në RTSH, ka analizuar javën e parë të Kategorisë Superiore

Rikthehet “Rubrika Sportive” në RTSH, me gjithçka që ndodh, me Kategorinë Superiore në veçanti, rikthehet dhe Shkëlqim Muça me analizën e tij për ndeshjet e javës së parë.

Forma e Vllaznisë - “Kur luan Vllaznia, ka gjithmonë lojë sulmuese, e kemi parë edhe në sezonin e kaluar. Ka të bëjë me filozofinë e trajnerit. Ka trajnerë që e duan lojën sulmuese, Vllaznia e ka këtë, shkon në sulm me shumë lojtarë. Është një skuadër që ka alternative, përveç titullarëve, ka edhe stol. Të gjithë lojtarët mundohen të marrin pjesë në dy fazat e lojës. Ndërkohë, Laçi lë shumë për të dëshiruar, e shikoj më të dobët se vjet. Nuk e kuptova për ndryshimet që bëri, sidomos në pankinë”.

Teuta-Partizani, nën nivelin që pritej - “Pritej një ndeshje me ritëm, por nuk ndodhi kështu. Ishte një ndeshje nën nivelin e asaj që presim, ishte e nivelit mesatar. Në aspektin sulmues ishte shumë e vakët. Shumë veprime të ngadalshme, nuk kishte shpejtësi. Teuta u kënaq me atë gol, ndërsa Partizani u shfaq shumë i ngadalshëm në fazën sulmuese. Treshja e sulmit luajti me shpinë nga porta, mesfushorët ishin pa fantazi”.

Kukësi ka ndryshuar - “Kukësi kishte ndryshuar, sidomos në repartin e sulmit. Sulmonte në dy krahët, vertikalizonte mirë. Goli i shënuar shpejt e ndihmoi shumë. Pashë një skuadër të mirë, disa lojtarë cilësorë. Mendoj se në mbrojtje duhet të kenë alternativa. Gjithsesi, më pëlqeu. Egnatia, në tërësi ishte pozitive. E rëndësishme është të kesh ide të qarta. Nuk do të jetë e lehtë për skuadrat e tjera të fitojnë aty”.

Tirana, me dy fytyra -  “Në pjesën e parë më surprizoi Skënderbeu, Tirana pati shumë vështirësi në pjesën e parë. Më pas, kartoniiI kuq solli ndryshimin. Kapiteni e dënoi ekipin. Më pas Tirana e dominoi lojën, ëhstë një skuadër që ka karakter. Ka një sulm shumë të mirë, Ngo I ka dhënë shumë potencë, është i vështirë për tu mbuluar. Mendoj se do rivalizojë deri në fund. Fusha? Është e papranueshmë që të mbajë atë fushë, çdo vit e njëjta gjë”.

Rikthimi me fitore i Dinamos - “Jam i gëzuar që Dinamo rikthehet, ka një skuadër të mirë, me lojtarë cilësorë. Trajneri duket që ka bërë një punë të mirë, skuadra funksionon. Mendoj se do të jetë një kundërshtar i vështirë për të gjithë. Është një skuadër që i mungonte kampionatit”.