RTSH Sport Live

Apolonia U-19 në prag të kualifikimit

  • 04/10/2022
  • |
  • UEFA Champions League
Apolonia U-19 në prag të kualifikimit
Luhet të mërkurën akti i fundit në Ligën e Kampioneve me kazakistanasit e Astanas

Apolonia luan të mërkurën aktin e fundit në raundin e parë të Ligës së Kampioneve për të rinj, teksa në ora 14:00, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, do të presë kampionen e Kazakistanit, Astana. 1-1 ndeshja e parë dy javë më parë e për më shumë përqendrim, Apolonia e trajnerit Bledar Borova është përgatitur në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Pse kjo zgjedhje për të qenë larg Fierit? Borova e ka një përgjigje.

Ne bëmë një kërkesë ndaj klubit dhe klubi na e miratoi dhe kjo për ta shkëputur skuadrën pak nga euforia që është krijuar në qytet pas barazimit në ndeshjen e parë, ndonëse janë ekip i ri. Por menduam ta zgjidhnim në këtë mënyrë, sepse marrim më shumë përqendrim dhe jemi gati për ndeshjen e kthimit”, thotë Borova.

Për më shumë motivim në stërvitjen e fundit një ditë përpara ndeshjes ka qenë i pranishëm dhe presidenti i klubit të futbollit Apolonia, Koço Kokëdhima, që shpjegon dhe rëndësinë e ndeshjes për skuadrën fierake

Është shumë e rëndësishme për ta dhe për rrugëtimin e rritjes së tyre. Kanë mundësinë të tregojnë vlerat e grupit dhe të rritjes së tyre dhe të gjithçkaje që kanë arritur deri më tani, kuptohet në rrugën e tyre për t’u bërë futbollistë profesionistë dhe të mëdhenj në Europë”, shpjegon presidenti i fierakëve.  

A është kjo pjesëmarrje e Apolonisë së të rinjve në Ligën e Kampioneve një mundësi pasqyrimi dhe shitje në Europe të këtyre lojtarëve?

Jam i sigurtë – tregon Kokëdhima – që këta janë futbollistë të mrekullueshëm, mbi të gjitha qytetarë shembullorë. Janë mjaft të edukuar, nxënës shumë të mirë dhe djem fantastik. Kanë talent të spikatur, që shpejt do të bjerë në sytë e botës”.

E megjithatë duke mbetur tek ndeshja e parë, Borova e ka dhe ndonjë peng, pavarësisht barazimit 1-1.

Peng nuk mund të them. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, një paraqitje më shumë se sa dinjitoze, teksa statistikat flasin vetë. Por ndoshta nxitimi, apo emocioni, që në fakt duhet të ekzistojë, bëri në fund atë rezultat 1-1. Megjithatë është rezultat pozitiv”, nënvizon Borova.

Madje me shumë aftësi tregon dhe cilësinë e skuadrës kundërshtare që do të ketë përballë Apolonia e tij të mërkurën në Ligën e Kampioneve.

Për ne Astana ishte një kundërshtar i panjohur. Megjithatë është një ekip i mirëorganizuar dhe që i njeh mirë aktivitetet ndërkombëtare. Kështu që të mërkurën do të jetë një ndeshje tjetër”, tha Borova.

Por sa të vetëdijshëm janë në Fier pikërisht për këtë ndeshje ndërkombëtare të skuadrës së të rinjve, që në fakt është kampione e Shqipërisë për moshën U-19.

Tifozët tanë janë krenarë për ekipin e të rinjve, si dhe për të gjitha skuadrat e moshave të Akademisë, që në 360 gradë janë të gjithë me lojtarët e tyre, si një bazë e mirë për ekipin e parë”, nënvizon Kokëdhima.

Një luajtje në Ligën e Kampioneve, pikërisht me skuadrën e të rinjve, është dhe vlerë në curriculumin e trajnerit Borova, që në fakt, tani për tani, është përqendruar vetëm tek ndeshja me Astanan

“Unë jam ndër ata trajnerë – thotë Borova – që kam bërë karrierën në klubin tim, që nga ekipet e moshave e deri tek të rriturit. Do vij dhe momenti im, por tani jam përqendruar tek ndeshja me Astanan dhe tek ky ekip, që e stërvis prej 5 vitesh”.

Ndeshja i ka të gjitha opsione brenda. Pra shtesë dhe penallti. A është përgatitur Apolonia për të gjitha këto opsione, apo gjithçka do të zgjidhet brenda 90 minutave?

Çdo trajner kërkon që vuajtja të përfundojë sa më shpejt. Megjithatë ne jemi përgatitur për gjithçka në këtë takim, me qëllimin e vetëm kualifikimin e Apolonisë”, thotë Borova.

Në fund, edhe pse ndoshta jashtë temës së diskutimit, Kokëdhima ka folur dhe për Apoloninë e të rriturve, që pas katër javësh në Kategorinë e Parë ka 7 pikë.

Apolonia është skuadra më e fortë në këtë kompeticion, të paktën me sa e njoh unë futbollin. Është ekip me moshë të re dhe që e meriton të jetë në Superiore”, përfundon Kokëdhima.

Ndeshja Apolonia – Astana do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar pikërisht nga stadiumi “Loni Papuçiu” Fier.