RTSH Sport Live

Arlind Rustemi motivon Orikun

  • 29/10/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Arlind Rustemi motivon Orikun
Derbi me vlonjatët, kërkohet vazhdimësia e rezultateve edhe ndaj kryesuesve

Oriku luan derbin me Flamurtarin të dielën, në stadiumin e kësaj të fundit, ndërsa ndeshja do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Oriku vjen pas fitores 3-0 ndaj Apolonisë, ndërsa trajneri Arlind Rustemi kërkon që nga skuadra e tij të shihet si një ndeshje radhe dhe të merret rezultati.

“Për ne është ndeshje e rëndësishme”, thotë fillimisht Arlind Rustemi. “Është një ndeshje derbi, që gjithnjë ka specifikën e saj të veçantë. Në lojë janë 3 pikët dhe rëndësia e saj është si të gjitha ndeshjet e tjera të kampionatit, as më pak e as më shumë”.

Oriku kërkon vazhdimësinë, pavarësisht së është ndeshje e vështirë. Por në fund duhet rezultati pozitiv edhe përballë një skuadre kryesuese si Flamurtari.

“Flamurtari – thotë Rustemi – ka objektivat e veta, ndërsa kërkon të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar. Ne kërkojmë të mbijetojmë në Kategorinë e Parë. Presioni është tek Flamurtari, që kërkon të ruajë kreun e kampionatit. Dhe si e tillë kërkon fitoren në fushën e vet. Por megjithatë ne do bëjmë lojën tonë dhe të marrim më të mirën”.

Oriku aktualisht ka 10 pikë në renditje dhe në këto javë ka bërë paraqitje të mira.