Kategoria e Parë mbylli vitin 2024 dhe një pjesë e madhe e skuadrave do të shfrytëzojnë merkaton e janarit për t’u përforcuar me elementët sa më cilësorë.
Kategoria e Parë mbylli vitin 2024 dhe një pjesë e mirë e skuadrave do të fokusohen në merkaton e janarit. Ky muaj nuk mjafton për të sjellë elementët më cilësorë, por është një dritare ku skuadrat mund të rregullojnë ato mangësi që kanë shfaqur në gjysmën e kampionatit.
Humbja ndaj Apolonisë ka tronditur ekipin e Besës, me trjanerin Mirel Josa që ka kërkuar menjëherë ndërhyrje në merkato, pasi gjatë 17 javëve, tekniku ka aktivizuar pothuajse 11 lojtarë, dhe kjo ka ndikuar në lodhjen e futbollistëve. E në fakt lëvizja e parë e klubit është ndërprerja e bashkëpunimit me Josën, i cili nga dita e sotme nuk është trajner i skuadrës kavajase.
Vora kërkon të ruajë boshtin e skuadrës, mësohet se në drejtim të Ruzgis, kanë ardhur oferta të rëndësishme, por klubi vorak nuk kërkon të privohet nga shërbimet e lituanezit, që është lojtari më i mirë me 14 gola të shënuar. Flamurtari është një tjetër ekip që kërkon të mbajë lojtarët më të mirë, tekniku Agostinelli është i kënaqur me grupin që ka, sidomos me rikthimin e Vasil Shkurtajt, me lojtarin i cili është rikthyer pas shumë problemeve fizike.
Apolonia kërkon me patjetër përforcime në çdo repart, këtë e ka theksuar çdo javë trajneri Sedat Pajaziti, por duhet parë se çfarë lëvizjesh do të bëjnë drejtuesit e klubit fierak.
Pogradeci, ekipi që e mbylli në vendin e gjashtë kërkon të ruajë ecurinë e mirë, por për ta bërë këtë trajneri Ardian Mema ka kërkuar nga drejtuesit një sulmues, pasi forma e Panadic nuk e ka nxjerrë nga telashet skuadrën, si dhe një mesfushor organizator.