RTSH Sport Live

Bashkia Tiranë vlerëson medalistët olimpikë, Veliaj: Medaljet nuk nderojnë vetëm sportin, por gjithë kombin tonë

  • 12/08/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Bashkia Tiranë vlerëson medalistët olimpikë, Veliaj: Medaljet nuk nderojnë vetëm sportin, por gjithë kombin tonë

Bashkia e Tiranës ka organizuar pasditen e së hënës një ceremoni falenderimi për ekipin e Sport Klub Tiranës që mori pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm të dy mundësit që fituan medalje të bronztë në Olimpiadë, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, trajneri i dy mundësave, Sahit Prizreni, si dhe mjaft sportistë dhe dashamirës të sportit.

Kryetari Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij vuri theksin se dy mundësat fitues në Olimpiadë dëshmuan jo vetëm për një skuadër e jashtëzakonshme, por ata janë edhe heronjtë tanë.

Sipas tij, në këtë ditë të rinisë vjen mesazhi që mundi e djersa shpërblehen.

“Vetëm me mund djersë e talent ecim përpara. Fituesit janë provokues të një krenarie të madhe për Shqipërinë. Bashkimi prodhon fuqinë. Shqipërisë i kanë ikur shumë medalje për shkak të pamundësive, financimeve dhe kushteve. Medaljet janë nderim jo vetëm për ne, por për të gjithë. Shqipëria është një shtëpi e dëshiruar tashmë, një shtëpi që të hap dyert. Medaljet nuk nderojnë vetëm sportin, por gjithë kombin tonë. Duhet të mobilizohemi edhe për lojërat para olimpike. Fuqia jonë qëndron te uniteti jo tek cic-micet. Çdo ëndërr bëhet realitet kur jemi të bashkuar.”, tha Veliaj.

Ndërsa Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, në fjalën e tij ka vlerësuar edhe të gjithë presidentët e federatave, të cilët, sipas tij, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

“Jemi krenar që më në fund, qoftë politika, por edhe ambienti, flet për sportin. Në Bashkinë e Tiranës dhe të tjera sporti tani është përparësi. Sporti duhet jo vetëm për familjet, por edhe për të gjithë vendin. Kemi vënë një gur kilometrik. Medaljet duhet të na venë përpara përgjegjësisë, pasi në Los Anxhelos në 2028 duhet të pretendojmë edhe për medalje të arta. Kur bashkohen institucionet, flitet edhe për medalje dhe kampionë.”, tha Ylli.  

Ndërsa trajneri i dy mundësave që fituan në Olimpiadë, Sahit Prizreni theksoi në fjalën e tij se ajo që na bashkon si komb është flamuri dhe këto medalje i shërbejnë këtij qëllimi.

“Kam një vlerësim për të gjithë trajnerët, pasi janë edhe ata pjesë e suksesit, ndonse nuk janë ata që dalin në rreshtin e parë.”, tha Prizreni, i cili jo pa humor shtoi se pret edhe një ‘revansh’ me kryebashkiakun Veliaj, referuar një episodi kur ai u gjend krejt i papërgatitur në momentet e gëzimit të medaljeve, dhe Veliaj e rrëzoi në tapetin e mundjes.