RTSH Sport Live

Basketboll, Tirana barazon duelin final ndaj Besëlidhjes

  • 01/05/2023
  • |
  • Basketboll
Basketboll, Tirana barazon duelin final ndaj Besëlidhjes
E mundi 82-66 edhe në takimin e 4-t, që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj ka luajtur të hënën duelin e 4-të të “play-off”-it final, aty ku Tirana ka qenë pritëse përballë Besëlidhjes, duke synuar ta mbajë hapur çështjen e titullit “kampion”. Skuadra lezhjane i pati fituar dy takimet e para, duke krijuar përshtypjen e një triumfi të lehtë, por bardheblutë janë kthyer ta fitojnë takimin e 3-të, të luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.

Dhe në takimin e 4-të, atë të së hënës, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport,  dhe që u luajt në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit, ka qenë Tirana e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj që ka dëshmuar vullnetin e saj për të mos u dorëzuar në këtë betejë finale, teksa ka mbizotëruar në 10-minutëshin e parë, të cilin e ka fituar me rezultatin 22-15.

Por, ndonëse në atë të dytin, është skuadra lezhjane e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali që bën dallimin, duke e fituar atë me 4 pikë epërsi, 21-17, do të jenë kryeqytetasit që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me rezultatin, 39-36. 10-minutëshi i 3-të do të jetë mjaft i luftuar nga ana e të dyja skuadra, madje Besëlidhja edhe ka kryesuar për pak çaste, 45-44, por bardheblutë kryeqytetas do të reagojnë, duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar atë me 4 pikë epërsi, 19-15, e duke kryesuar kështu me një gjysmëore lojë me shifrat 58-51. 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë Tiranën ta mbrojë epërsi, edhe falë ruajtjes së gjakftohtësisë, dhe madje ta thellojë atë.

Bardheblutë e fitojnë këtë fraksion loje me një epërsi të thellë, 24-15 dhe vulosin fitoren me 16 pikë epërsi, me shifrat 82-66. Tirana korr kështu fitoren e dytë në këtë duel final, duke barazuar gjithçka, pavarsisht shpresave të Besëlidhjes për ta mbyllur në 4 ndeshje çështjen e titullit, në një Pallat Sporti të mbushur si rrallëherë plot e përplot këto vitet e fundit dhe që u përshkua nga një atmosferë elektrizuese, por korrekte.

Tanimë fjalën e ka sfida e 5-të dhe e fundit, që do të luhet të enjten në kryeqytet, aty ku Tirana do të përballet me Besëlidhjen në aktin e fundit të betejës për ta bërë të vetin trofeun e vyer.