RTSH Sport Live

Bledar Gjeçaj për "Zona 30": Koshi shkodran me probleme serioze në financa

  • 22/09/2023
  • |
  • Basketboll
Bledar Gjeçaj për "Zona 30": Koshi shkodran me probleme serioze në financa
Bledar Gjeçaj, në një lidhje direkte me "Zona 30" në RTSH 1

Trajneri i Vllaznisë së femrave në basketboll, Bledar Gjeçaj në një lidhje direkte me "Zona 30" në RTSH 1 HD deklaroi se ekipet e basketbollit të Vllaznisë nuk do të marrin pjesë në Kupën e Federatës që do të nisë javën e ardhshme.

Është ky vendimi i marrë nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia, nisur nga gjendja financiare që po përjeton aktualisht. Kështu, të hënën kur starton aktiviteti, do të mungojë emri i Vllaznisë. Gjeçaj, në një lidhje direkte me emisionin "Zona 30", që transmetohet nga e hëna në të premte, në orën 18:30 në ekranin e RTSH 1, ka sqaruar situatën: “Nëse ne do të kishim mjete financiare, do të kishim bërë dhe ndeshje miqësore. Por duke qenë në vështirësi, në krahasim dhe me ekipet e tjera, sepse me atë buxhet që kemi në dispozicion, me shumë vështirësi e përballojmë edhe kampionatin, menduam që të mos marrim pjesë sepse shtohen shpenzimet”.

“Por kemi menduar që të zhvillojmë disa ndeshje miqësore, javën tjetër mund të vijë në Shkodër një ekip i Malit të Zi. Gjithashtu, edhe ne mund të shkojmë atje, por kjo paraqet vështirësi siç e përmendëm dhe në fillim”.