RTSH Sport Live

Boksi shqiptar, krenar për Alban Beqirin

  • 03/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Boksi shqiptar, krenar për Alban Beqirin
Zef Gjoni dhe Renato Kurti rrëfejnë sukseset e boksierit kuqezi, që ia del mes shumë dëmtimeve

Alban Beqiri i ka bërë të gjithë krenarë me kualifikimin në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Boksit për të rritur në Beograd. Tanimë medaljen e bronztë e ka të sigurtë, sikurse dhe premion nga Federata Botëror e Boksit për Amatorë, 25.000 euro për vendin e tretë e të katërt. Por për të shkuar tek e argjendta, e cila është 50.000 euro, dhe e arta 100.000 euro do të duhet të kalojë rusin Musaev më 4 nëntor. Kryetrajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Zef Gjoni, nga Beogradi rrëfen kushtet e vështira të kombëtares kuqezi në këtë Botëror, çka e bën më të rëndësishme arritjen e Alban Beqirit.

“Kombëtarja jonë është nisur si gjithmonë pa grumbullim, pa stërvitje. Kemi udhëtuar me dy makina, sepse nuk kemi patur mundësi të tjera, fondet e Federatës këto janë”, ka deklaruar Gjoni.

Madje për trajnerin e Tiranës, Renato Kurti, vajtja me tre boksierë, teksa pjesë e kombëtares ishte dhe Nelson Hysa e Indrid Laçi, i bënte objektivat minimal.

Kurti thotë: “Kishim synimet tona, të kalonim turin e parë. Por më pas, duke parë ndeshjen e parë të Alban Beqirit, ndeshjen e dytë, shpresat ishin të mëdha. Ishte një arritje e madhe për boksin shqiptar”.

Por si arriti Beqiri të kalonte raundet njëri pas tjetrit?

“Ndeshjen e parë ndaj boksierit të Kenias e fitoi me rezultatin 5-0, kështu u motivuam ne, u motivua edhe boksieri. Në ndeshjen e dytë, me boksierin nga Lituania, që ishte shumë I rrezikshëm, shumë I fuqishëm, por Albani me teknikën dhe taktikën e tij, e zgjidhi në mënyrën më të mirë, pa asnjë gabim. Ndeshja e tretë ishte me panamezin. Aty ishte i dëmtuar, por kishte problem dhe punën e peshës dhe bënte dy herë në ditë stërvitje për ta arritur. Por edhe në këtë rast ia arriti qëllimit”, ka treguar trajneri Gjoni.

Çfarë e bëri të fitonte me jordanezin Eashash në raundin çerekfinal? Gjoni rrëfen: Ne e kishim shumë të vështirë këtë ndeshje, sepse gjendja fizike, dëmtimi në kolonë dhe në dorë, na bënë që ta vinim në dyshim. Por një ditë përpara, në mbrëmje, Albani bëri një stërvitje perfekte. I thashë të nesërmen se je stërvit shumë mirë, Po, më tha, jam mirë. E unë I thashë se kam besim se do e fitosh këtë ndeshje”.

E për Kurtin, ndërsa dëmtimet e Beqirit janë evidente në dorë dhe shtyllën kurrizore, ishte mrekulli marrja e një medalje në Beograd. “Për mua si trajner pata fatin që isha pranë Kombëtares së Shqipërisë. Ishte fat për mua, Albanin e kam dhe pjesë të ekipit tim ku punoj”.

Ndërkohë Gjoni, si një trajner i përvojës, duke përfshirë dhe medalje të tjera ndërkombëtare, ka një mesazh për të gjithë komunitetin e boksit shqiptar.

“Medalje historike, për Beqirin por dhe për Zenelin. Boksierët shqiptarë, për një muaj marrin dy medalje. Pra boksi shqiptar tregoi se ne jemi të fortë, jemi të mirë. Dua të theksoj se të gjithë trajnerët kanë një meritë, sepse punojnë në kushte të vështira”.

Kështu më 4 nëntor pritet një tjetër arritje nga Beqiri, ndonëse gjendja e tij fizike nuk jep shumë shpresë ndaj rusit Musaev.