Mbyllja e Botërorit dhe ecuria e tij vulosën edhe fatin e një numri të konsiderueshëm të 32 trajnerëve që drejtuan skuadrat pjesëmarrëse. Në fakt, valsi i bankinave, që ka nisur me fazën e grupeve, ka vijuar më tej edhe me turin e 16-shes. Kështu, i pari ishte trajneri Iranit, Karlos Kueiroz, pasi skuadra e tij u eliminua nga Botërori i Katarit. Ndërkaq, edhe Herardo Martino më nuk është trajner i përfaqësueses së Meksikës. Largimi i tij ka ardhur pak orë pas eliminimit të amerikano-qendrorëve nga faza e grupeve në Kampionatin Botëror. Edhe Roberto Martinez, ka zbuluar se e ka drejtuar përfaqësuesen e Belgjikës për herë të fundit. Belgjika barazoi pa gola me Kroacinë në ndeshjen e fundit dhe nuk kaloi dot fazën e grupeve në Botërorin e Katarit.
Edhe trajneri i Ganës, Oto Ado, dha më pas dorëheqjen nga stoli i përfaqësueses, pas një fazë të dobët në grupe. Shembullin e tij, por pas ndeshjes së turit të 16-shes, e ndoqi një tjetër koleg i atij grupi, Paulo Bento, trajneri portugez ia doli ta kualifikojë Korenë e Jugut në atë grup të vështirë, por u eliminua në 16-she përballë Brazilit, por edhe trajneri i Polonisë, Çeslav Mihnieviç. I fundit që humbi postin e tij pas eliminimit të papritur në turin e 16-shes përballë Marokut ishte trajneri i Spanjës, Luis Enrike. Më tej, në çerekfinale, stolin e lëshuan edhe trajneri i Holandës, Luis Van Gal, ai i Portugalisë, Fernando Santos, dhe ai i Brazilit, Tite. Dhe pikërisht për zëvendësuesin e këtij të fundit kanë nisur edhe aludimet, teksa janë përmendur një numër trajnerësh të huaj, çka ka shkaktuar edhe debate në Brazil.
Zinedin Zidan, por edhe dy argjentinas, siç janë Mauricio Poçetino dhe Marselo Bielsa, janë përmendur si kandidatë, ashtu sikundër është përmendur edhe trajneri i Romës, Zhoze Murinjo. Ky i fundit është përfolur edhe në lidhje me stolin e mbetur bosh tek përfaqësuesja e vendit të tij të lindjes, Portugalia, por duket se nuk dëshiron të largohet nga Roma. Ndërkaq, për Poloninë është përmendur si një kandidaturë pikërisht ish-trajneri i Belgjikës, Martinez, ndërsa Gjermania do të vazhdojë t’i besojë Hansi Flikut, ashtu sikundër pritet që Franca të vazhdojë me Didier Deshompin, njeriun që e ka udhëhequr drejt dy finaleve të Botërorit, një të fituar para 4 vjetësh e një të humbur këtë vit.