RTSH Sport Live

Brazili përmbys Venezuelën, Argjentina ndalet nga Paraguaji

  • 08/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Brazili përmbys Venezuelën, Argjentina ndalet nga Paraguaji
Selecao reagon në pjesën e dytë dhe siguron një fitore 3-1, Argjentina, 0-0 me Paraguajin

Nuk ndalet rrugëtimi perfekt i Brazilit në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës, “Katar 2022”. Selecao mundi Venezuelën me përmbysje, 3-1. Argjentina nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 përballë Paraguajit.

Megjithatë, sfida në Caracas nuk filloi mirë për ekipin e Tite: pas një mundësie të parë nga Gabigol, vendasit arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën  e 11-të falë goditjes me kokë të Eric Ramirez në krosimin perfekt të Soteldos. Brazilianët mund të kishin barazuar në fundin e pjesës së parë me një autogol të Ferraresi, por për fatin e tij të mirë topi u ndal nga traversa. Gjithsesi, përmbysja e madhe për të besuarit e Tite do të ndodhë në pjesën e dytë. Në minutën e 71-të, pas një goli të anulluar të Thiago Silva, Marquinhos vendos barazpeshën, 1-1. Në minutën e 85-të, Gabigol sjell avantazhin nga pika e penalltisë, ndërsa në minutën e 90+5, Antony kompleton suksesin 3-1. Me këtë fitore, Brazili ngjitet në kuotën e 27 pikëve në 9 ndeshje dhe blindon vendin e parë.

Argjentina e vendit të dytë tashmë është -8 nga vendi i parë. Mesi me shokë nuk arrin të mbajë ritmin e brazilianëve dhe koleksionon barazimin e katërt në nëntë ndeshje. Pa Lautaro, por me Mesin, Di Marian dhe Korrean, Albiceleste nuk shkon përtej 0-0 përballë Paraguajit. Korrea kishte  mundësi të mira për të zhbllokuar rezultatin, por por portieri i Paraguait është i kujdesshëm, ndërsa nga ana tjetër Emiliano Martinez është i mahnitshëm në ruajtjen e 0-0 kundër Almiron dhe Sanabria. Në finale, Antony Silva bën një mrekulli përballë Papu Gomez. 0-0 fillestare nuk ndryshon: Argjentina ngrihet në 19 pikë dhe momentalisht bie në -8 nga Brazili, me Ekuadorin tani i treti në -3, ndërsa Paraguaji shkon në 12 dhe mbetet -2 nga vendi i pestë, Kolumbia.