RTSH Sport Live

Brdaric prezantohet tek Vllaznia: Vendosa me zemër, dua titullin

  • 26/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Brdaric prezantohet tek Vllaznia: Vendosa me zemër, dua titullin
Thomas Brdaric, në aventurën e dytë si trajner i kuqebluve, ka dhënë një konferencë për shtyp

Vllaznia ka zyrtarizuar Thomas Brdaric në pankinën kuqeblu pas largimit të Qatip Osmanit. “Mirë se ju gjeta, forca Vllaznia”, janë fjalët e para të trajnerit gjerman, me origjinë kroate, në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”, për ti lënë radhën më pas një konference për shtyp. “Mirë se ju gjeta, njoh një pjesë të mirë të të pranishmëve, - ka deklaruar Brdaric në konferencën për shtyp, - kam kaluar shumë mirë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, që do punoj përsëri me këtë ekip. Në këtë situatë dua të falenderoj dhe trajnerin e mëparshëm, Osmanin, e vlerësoj që e ka sjellë Vllazninë në këto pozicione”.

“Kjo është jeta, gjërat ndodhin shumë shpejt, një vendim i marrë me zemër. Kam ardhur këtu, sepse kam kaluar mirë, kemi zhvilluar ndeshje të mira. E rëndësishme është që të dhurojmë jo vetëm lojëra të mira, por edhe rezultate, të luftojmë për titull”.

“Largimi i mëparshëm nga Vllaznia? Të gjithë bëjmë gabime. Edhe unë bëj gabime, por nuk shikoj mbrapa, kjo është jeta dhe unë jam pozitiv. Kam pasur marrëdhënie të mira me Albanin, ndoshta vetëm dy ditë në jetën time nuk kam patur marrëdhënie të mira, por tani është një kapitull i ri. I jam mirënjohës që jam përsëri këtu, që të arrijmë objektivat në vazhdim”.

“Skuadra ka cilësi, por në fund të ditës duhet edhe fat për të fituar ndeshjen. Duhet të jemi mirë fizikisht dhe në këtë drejtim do të punojmë në ditët e ardhëshme. Egnatia? E kam ndjekur ndeshjen e fundit, tani duam të marrim revanshin. Dua të përmirësoj këdo nga lojtarët në aftësitë që ka, nuk duhet të mendohemi shumë, të punojmë dhe të ndërtojmë një strategji të mirë për ndeshjen e ardhëshme”.

“Terrenet? Nuk kam ardhur për tu ankuar për atë që nuk ka ekzistuar përpara, jam këtu për të përmirësuar ekipin. Ndeshja me Egnatian? Nuk shkoj në fushë për barazim, të gjithë e dinë këtë. Dua të marr maksimumin”.

“Kisha kohë të shikoja stërvitjen e Leverkusenit, është mahnitëse se si punon Alonso. Duhet investuar shumë në stërvitje dhe duhet të luash ashtu siç stërvitesh, Leverkusenië shtë një shembull”.