RTSH Sport Live

Broja, i preferuari i Graham Poterit

  • 20/09/2022
  • |
  • Angli
Broja, i preferuari i Graham Poterit
Futbollisti kuqezi, kandidat për një vend në 11-shen e parë të trajnerit të ri

Armando Broja i ka bërë shumë përshtypje trajnerit të ri të Çellsit, Graham Poter, dhe ka të ngjarë të marrë së shpejti rolin e titullarit, raportojnë mediat britanike. 21-vjeçari mund të jenë në radhë për të marrë një vend në 11-shen e parë të Poterit pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese, teksa është aktivizuar 7 herë si zëvendësues këtë sezon, përfshi edhe 6 herët që u përzgjodh nga ish-trajneri Tomas Tuhel, përpara se ky i fundit të shkarkohej.

Pjer-Emerik Obamejang erdhi në merkaton e verës në “Stemford Bridxh”, por ai mund të mos e ketë mundësinë për t’u përshtatir me blutë e Londrës. Mediat britanike kanë raportuar se puna që Broja ka bërë gjatë seancave stërvitore nën drejtimin e Poterit ka tërhequr vëmendjen e trajnerit dhe 47-vjeçarit nuk ka ngurruar të mburret me potencialin e shtatlartit kuqezi dhe me mënyrë sesi i riu mund të përshtatej në stilin e tij të lojës.

Poteri mund të shfrytëzojë forcën fizike të shqiptarit për të futur një përdorim një sistem agresiv presingu në sulmin e skuadrës së tij. Çelsi ka përdorur Kai Havertzin si sulmues kryesor këtë sezon, por Poteri e përdor gjermanin si një mesfushor me tipare sulmuese në ndeshjen e tij të parë në “Stemford Bridxh”, në barazimin 1-1 kundër Salzburgut. Broja luajti në 24 minutat e fundit të asaj ndeshjeje, duke zëvendësuar 33-vjeçarin Obamejang, i cili debutoi në fushën e Çelsit pas transferimit nga Barcelona.

Ndeshja e radhës për Poterin në krye të bluve do të jetë derbi londinez ndaj Kristal Palasit, pasi ndeshja me Liverpulin u shty dhe më pas erdhi edhe ndërprerja për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Dhe kjo i jep Brojës mundësi të bollshme për ta bindur Poterin, si në stërvitje, ashtu edhe në dy ndeshjet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve të Evropës, ndaj Izraelit dhe Islandës.

Broja e kaloi sezonin e shkuar i huazuar nga Sauthemptoni, duke shënuar 9 gola, por zgjodhi të mbetej në “Stemford Bridxh”, pavarsisht interesit gjatë verës të disa klubeve në Angli dhe në Evropë.