Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pritur në një ceremoni zyrtare medalistët olimpikë të cilët janë vlerësuar me Medaljen e Mirënjohjes. Në Kryeministri në këtë event ishin të pranishëm sportistët e skuadrës olimpike shqiptare, presidenti i KOKSH-it, Ministrja e Sportit dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Kryeministri Rama vlerësoi punën e mundësave, që shkruan historinë pasi sollën medaljet e para olimpike për Shqipërinë, por gjithashtu theksoi se ky është rezultati i një punë të gjatë, të bërë ndër vite. Rama theksoi se mbështetja për KOKSH-in dhe për të gjithë sportet do të jetë maksimale dhe shpreson që të tjera medalje të fitohen nga skuadra olimpike shqiptare në Lojërat e ardhshme.
“Këto medalje nuk janë të rëna nga qielli por janë rezultat i një rruge transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit. Edhe falë mundësisë që është krijuar për qeverinë me zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të KOKSH që na ka dhënë një partner jashtëzakonisht këmbëngulës.
E ka kthyer marrëdhënien mes qeverisë dhe KOKSH në një marrëdhënie strategjike. Në vend të fjalimit mora një vendim të qeverisë së Shqipërisë që daton në dhjetor të vitit 2021 dhe mbështetet në ligjin për Sportin të vitit 2017 ku qartësisht synimi ishte që ta çonim në një nivel tjetër mbështetjen për sportistët dhe të krijonim një klimë tjetër të favorshme për ata që duan të zhvillojnë talentin e tyre në sport”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës, Shqipëria është shndërruar nga një vend që braktisej nga sportistët tashmë në një vend që adopton edhe sportistë të huaj.
“Sot ne nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm që nuk kanë lindur në Shqipëri, nuk e kanë filluar karrierën e tyre në Shqipëri por kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar për të ushtruar pasionin e tyre dhe për të synuar majat e botës. Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet sepse nuk i garantonte dot as ushqimin, dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin për medalje ari për vendet fqinje, është kthyer në një vend që mund të adaptojë fëmijë që vijnë nga vendet e tjera. Nëse do të ishte Shqipëria e djeshme askush nuk do të vinte që të adoptohej nga ky vend dhe ta përfaqësonte këtë vend. Sot ka një arsye për të ardhur sidomos kur bëhet fjalë për sporte individuale. Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetje dhe më tërheqëset në rajon”, ka theksuar kryeministri.
Kryeministri ka theksuar se mbështetja për KOKSH-in dhe Sportin do të jetë maksimale: “Do të mbështesim me sa të kemi mundësi të gjitha planet dhe propozimet e Fidel Yllit, që skuadra olimpike shqiptare të përfaqësohet sa më mirë në evente ndërkombëtare dhe të sjellë sa më shumë medalje për Shqipërinë”, ka thënë mes të tjerash Rama.