RTSH Sport Live

Chermen Valiev, viza e munguar

  • 17/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Chermen Valiev, viza e munguar
Mundësi i peshës 74 kilogram nuk ka mundur të marrë pjesë në Europianin rumun

Mundja shqiptare ka humbur një mundësi reale për medalje në Kampionatin Europian në Bukuresht. Chermen Valiev, mundësi i peshës deri në 74 kilogram në stilin e lirë, nuk është pajisur me vizën rumune dhe si i tillë nuk ka mundur të marrë pjesë në Kampionatin Europian. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, është pritur deri në momentet e fundit, ndërsa të shtunën në mëngjes ishte dhe peshimi përpara startit të garës. Por në fund Valiev nuk u bë pjesë e kuqezinjve.

Tanimë që mundësi rus të mos humbasë shansin e pjesëmarrjes në turnetë kualifikues të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Prizreni, do të duhet pritur dhënia e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. E më pas, kjo brenda një kohe të shkurtër, konfirmimi nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa Valiev është i regjistruar si pjesë e Shqipërisë në Federatën Botërore dhe Europiane të Mundjes. Një medalje e humbur ndoshta në Europianin e Bukureshtit, por një mundësi për më vonë për arritje të tilla për mundjen shqiptare nga Chermen Valiev.