RTSH Sport Live

Dinamo e Flamurtari, luftë e ashpër për kreun

  • 29/12/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Dinamo e Flamurtari, luftë e ashpër për kreun
Korabi e Skënderbeu në ndjekje, shtatë ekipe në garë për mbijetesë

Kategoria e Parë ka përfunduar gjysmën e kampionatit, ndërsa janë luajtur 12 javë, atje ku gjithçka është nën kryesimin e Dinamos dhe të Flamurtarit. 24 pike për blutë e Nevil Dedes, të cilët rrugës kanë patur dhe aksidente. Thënë ndryshe ulje e ngritje, ndërsa kanë pësuar dy humbje në këtë pjesë të parë të sezonit. Madje ajo që “djeg” më shumë është disfata 1-5 me Flamurtarin, sepse humbja në Pukë me Tërbunin vendës 0-1 nuk është se prishi punë. Pasi Dinamo mbeti në krye edhe duke patur një golashënues si Taulant Marku me 9 gola e Denison me 7 gola. E  atëherë siguria në sulm për blutë është e garantuar.

Në fakt Flamurtari e nisi me “malore”, sepse humbja me Luzi 2008 1-2 në Vlorë dhe barazimi 1-1 me Korabin kushtëzuan pankinën e Dritan Resulit, vendin e të cilit e zuri Troisi. Por gjërat nuk kanë qenë fort të mira për kuqezinjtë pas kthimit të kampionatit, kjo pas Botërorit të Katarit. 0-2 në Berat dhe 2-2 ndaj Besëlidhjes e tanimë Flamurtari do të duhet të mendojë ndryshe.

Korabi e Skënderbeu ndjekin hapat e kryesuesve, kuptohet për të përfituar nga gabimet e tyre, ndërsa ndodhen tre deri në katër pikë larg kreut. Nëse dy vendet e para ngjiten direkt në Superiore, Play-off do të caktojë ekipin e tretë që mund të vijë lart. Kjo me skemën 3-6 dhe 4-5, kurse fituesi i këtij çifti luan me të tetën e Superiores.

Shumë e fortë lufta për mbijetesë, ndërsa bien direkt katër ekipe në Kategorinë e Dytë. Tomori, Apolonia, Lushnja, Oriku, Burreli, Turbina e Besëlidhja janë të gjitha në “valle”. Lushnja është skuadra që ka ndërruar tre trajnerë këtë sezon. E nisi me Klodian Duron. Vazhdoi me Edlir Tetovën e mbylli me Blerim Hasallën. E janari ndoshta do të japi trajnerin e katërt për verdhejeshilët, të cilët kanë tentuar dhe Gugash Maganin e Besës.

Kategoria e Parë rikthehet më 28 janar, kurse në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar do të vazhdojë të vijë në transmetim direkt një ndeshje një javë. Garë interesante dhe shumë e fortë, me plot të papritura në pjesën e dytë të sezonit.