RTSH Sport Live

Dinamo, Ibraimi “kurora” e një merkato superior

  • 17/07/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo, Ibraimi “kurora” e një merkato superior
Blutë kanë bërë 14 goditje në merkato, me një miks eksperience e talenti

Rikthimi pas 9 vitesh në Superiore nuk mund të jetë provizor e tek Dinamo e kanë patur një ide të qartë që në momentin që u përmbush, për të mos thënë se ishte pjesë e një projekti të mirëmenduar, për ti kthyer klubit statusin që i takon. E kështu, e gjithë vëmendja u përqëndrua menjëherë në një strukturë klubi e një vijë merkatoje, që të ecnin paralelisht e ku qershia mbi tortë ishte firma me Agim Ibraimin.

Kapiteni i Kukësit mund të konsiderohet goditja më e fortë e bluve, në kërkim të një ringritje në kualitet, për tu prezantuar denjësisht në Superiore. Blerja e re garanton gola e eksperiencë, për një skuadër që ka nevojë për të dyja, e që nuk i ka reshtur përforcimet për të qënë gati për sfidën e re. 14 blerje, ndoshta shumë për një skuadër që të performojë në nivele të larta, por të domosdoshme, duke parë diferencën me skuadrat e tjera.

Nga Kukësi mbërriti dhe Besir Demiri, joly difensiv, i aftë të luajë edhe përpara mbrojtjes, e Enis Gavazaj, sulmuesi që operon në të dy krahët pa problem. E që Dinamo e kishte seriozisht, mjaftoi dhe firma me Alexander Isaevskin, që me Vllazninë bëri aq mirë. Një njohje tjetër e Superiores ishte dhe ish-lojtari i Flamurtarit, Goran Siljanovski dhe ai i Tiranës, Sidibe, apo dhe të tjerët, Patrik Bardhi dhe Dorian Kërçiku.

Blutë e kanë siguruar portën me Romeo Harizajn, numrin 1 të Apolonisë dhe pjesë të Kombëtares U21, ndërsa nga Korabi ka mbërritur golashënuesi më i mirë, Xhuljano Skuka. Blutë kanë vënë nën kontratë edhe Abazajn, Haxhiun dhe dy lojtarë të ardhur nga jashtë, Stefen Chinedu e Alexander Sofranak për ti vënë teknikut, Bledi Shkëmbi në dispozicion një skuadër me shumë cilësi e me shumë zgjedhje për të përballuar sezonin, duke qënë shumë më tepër se një skuadër që kërkon mbijetesë…