RTSH Sport Live

Duro: Kualifikim historik, por i merituar

  • 02/08/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Duro: Kualifikim historik, por i merituar
Trajneri i Strugës paralajmëron skuadrën kundër nënvlerësimit të kundërshtarit të radhës

Një kualifikim të merituar, që për më tepër arrihet nga një ekip që është “rishtar” në veprimtaritë evropiane. Kështu e ka cilësuar trajneri Shpëtim Duro triumfin e dyfishtë të skuadrës së tij, Strugës, ndaj Buduçnostit në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës.

“Sigurisht që është një kualifikim shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë në vazhdën e rezultateve pozitive, sidomos në këtë sezon që u shpallëm kampion dhe finalistë të Kupës. Kalimi në turin e tretë të Ligës së Konferencës është një sukses për një skuadër të re, që ka vetëm disa vite që është krijuar. Kemi arritur dy fitore, me një skuadër me traditë si Buduçnosti, me meritë të plotë. Patjetër që ndeshja e djeshme ka patur vështirësitë e veta, por skuadra e ka merituar plotësisht këtë kualifikim”, ka deklaruar Duro.

Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri e ka paralajmëruar skuadrën kundër nënvlerësimit të kundërshtarit të radhës.

“Kundërshtari është kampion i Luksemburgut. Të mos harrojmë se në sezonin e kaluar, kampionia e Luksemburgut, Dudelanzh, eliminoi Tiranën. Pra është një skuadër shumë e fortë, edhe ndeshjet e fundit i ka bërë jashtëzakonisht të mira. Është një skuadër solide, kështu që nuk mund të themi që jemi ne favoritët. Megjithatë, ne do të provojmë, e rëndësishme është që jemi më të qetë pas kalimit të turit, që ishte objektivi jonë. Do të provojmë patjetër mundësitë tona”.

Takimi i parë midis Strugës dhe Suift Hesperonzhit luhet më 10 gusht në Ohër, duke nisur nga ora 19:00.