RTSH Sport Live

E mërkura e barazimeve në Superiore

  • 02/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
E mërkura e barazimeve në Superiore
Erzeni ndalet në shtëpi 1-1 nga Kastrioti, nuk ka fitues edhe në Bylis-Teuta

Java e 11 e Superiores hapet me dy barazime, që nuk është se i ndihmojnë shumë ekipet e përfshira. Në “Niko Dovana”, Erzeni nuk përfiton dot nga faktori fushë për të mposhtur Kastriotin dhe duhet të kënaqet me një 1-1, që limiton dëmet, edhe pse shijakasit në këtë pikë mund të humbasin vendin e tretë. Një ndeshje e luftuar, por që nisi menjëherë keq për shijakasit. Mbrojtja, shpesh herë e padepërtueshme e Kapllanit, e pësoi që në minutën e 7 nga Greca.

Kastrioti i Celës u ndërtua menjëherë në mbrojtje, i mbyllur prapa edhe nën presionin e Erzenit, që me Kahrimanovic e Kadriun rrezikoi t’i ndëshkonte. Kapllani shpejtoi të ndryshonte në pushim me Ademin për Osmanllarin dhe në minutën e 56-të barazimi mbërriti. Nonato ndëshkoi Salin me një goditje precise, që kurorëzoi një aksion brilant të Erezenit.

Pati gjithësesi pak hapësira, me skuadrat të kujdesshme të mos gabonin dhe vetëm një goditje jashtë kuadratit e Kahrimanoviç në minutën e 77-të prishi panoramën e kontrasteve në mesfushë. Për tu evidentuar negativisht edhe Marinaj, me lojtarin e Kastriotit të aktivizuar në minutën e 84-ët e të ndëshkuar me karton të kuq në minutën e katërt shtesë. Erzeni shkon në kuotën e 17 pikëve në vendin e tretë, ndërsa Kastrioti mbetet i gjashti me 14, dy përpara Bylis, që nuk arriti të fitojë në Ballsh.

Skuadra e Bellait mund ta shohë veten në zonën e rënies në rast të një fitore të Laçit apo Vllaznisë, por duhet të jetë e kënaqëur sepse me 0-0 ndaj Teutës  mban në distancë skuadrën e Shkëmbit, gjithnjë e më e fundit me 8 pikë.