RTSH Sport Live

Edhe 200 ditë deri në “Katar 2022”

  • 05/05/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Edhe 200 ditë deri në “Katar 2022”
Organizatorët përballen me ankesat për çmimet e biletave dhe akomodimin

Po punohet natë e ditë, 24 orë, në të gjitha kantjeret e mbetura, ende të papërfunduara, të cilat do të përdoren për Kupën e Botës, katar 2022. Kur kanë mbetur edhe 200 ditë, nga kjo e enjte, Katari po përballet me pyetje të shumta mbi rritjen e kostove të akomodimit, biletave dhe kushtet për tifozët. Tetë stadiume me ndriçim dhe me ajër të kondicionuar janë gati për fillimin e turneut më 21 nëntor, por çdo natë, punëtorët e ardhur nga Azia Jugore vazhdojnë të punojnë në kantieret e ndërtimit rreth Dohas. Dhjetra vinça gjigantë ngrihen mbi rrokaqiejt e kryeqytetit ndërsa organizatorët vazhdojnë të enden në dilemën se si do të presin rreth 1.4 milionë fansa që duan argëtim dhe alkool në shtetin e vogël, konservator islamik.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka premtuar se në Katar do të bëhet Kupa e Botës më e mira në të gjitha kohërat. Katari është përballur me pyetje të shpeshta rreth transportit dhe akomodimit t] tifozëve. "Kjo është Kupa Botërore më e komplikuar e epokës moderne për logjistikën," tha ai për AFP. “Tifozët shohin rritje të çmimeve dhe nuk e dinë se kur do të ndalet”. Ndërsa çmimet rriten pas Covid-it, biletat ajrore të kthimit Madrid-Doha në nëntor kanë shkuar tashmë më shumë se 1,680 dollarë, pothuajse tre herë më shumë se në 2021. Shumë tifozë ende nuk e dinë nëse kanë bileta të ndeshjes, të cilat janë mesatarisht tre herë më të shtrenjta se për vitin 2018, dhe ata nuk mund të rezervojnë akomodimin në faqen zyrtare të internetit pa një numër ndenjëseje.

Katari thotë se do të ketë 130,000 dhoma në hotele, apartamente, anije turistike dhe kampe në shkretëtirë. Ai ka premtuar dhoma të përbashkëta për vetëm 85 dollarë në natë.

Ambasadorët e shumë prej 32 vendeve konkurruese i kanë thënë AFP-së shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e informacionit në lidhje me përdorimin e alkoolit e deri te trajtimi i komunitetit LGBT në Katar, ku homoseksualiteti është i paligjshëm dhe alkooli është i kufizuar kryesisht për jomyslimanët e huaj. Duhet të gjenden kompromise pragmatike për të respektuar të dyja palët.

FIFA dhe organizatorët e Katarit, Komiteti Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë, janë përpjekur të qetësojnë tifozët për akomodimin, të drejtat dhe pijen. Alkooli ka të ngjarë të shitet në zonat e tifozëve dhe zona të veçanta pranë stadiumeve me një çmim të subvencionuar prej rreth 6.25 dollarë për birrë, siç ishte gjatë Kupës së Botës për Klube 2019 dhe garës së Formula 1 në Katar, thanë burimet organizatore." Katari nuk është ndryshe dhe thjesht u kërkon fansave të respektojnë kulturën konservatore të vendit", tha një zëdhënës i Komitetit të Lartë.