RTSH Sport Live

Erald Çinari zyrtarizohet tek Shkëndija e Tetovës: Më bindi projekti

  • 18/01/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Erald Çinari zyrtarizohet tek Shkëndija e Tetovës: Më bindi projekti
Sulmuesi shkodran ka firmosur për kuqezinjtë për një vit e gjysmë

Erald Çinari është blerja më e re e Shkëndijës së Tetovës. Sulmuesi shkodran është bashkuar me kuqezinjtë, duke firmosur një kontratë për një vit e gjysmë, pas një aventure të kaluar në Turqi me skuadrën e Samsunspor. Një garë e fortë për shërbimin e sulmuesit shkodran ku tentuar dhe Partizani, Tirana apo Vllaznia, por në fund firmosi me kuqezinjtë e Shkëndijës.

Ndërkohë, 26-vjeçari ka dhënë dhe një intervistë në kanalin zyrtar të klubit.

“Të them të drejtën kishte kohë që isha në bisedime me klubin dhe këto ditë u bë e mundur të gjenim akordin mes njëri tjetrit. Ndjehem shumë i lumtur dhe mezi pres të filloj me stërvitje dhe ndeshje”.

Mesazhe nga tifozët?

 “Po është e vërtetë, shumë tifozë të Shkëndijës më kanë dërguar mesazhe në rrjetet sociale, si në Facebook, si në Instagram dhe më kanë bë të ndjehem jashtëzakonisht mirë kur kam dëgjuar që mezi presin që të jem pjesë e ekipit”.

Pishman që nuk ke ardhë më herët këtu?

 “Është e vërtetë që edhe më parë Shkëndija më ka ofruar bashkëpunim, por të them të drejtën tani u bë e mundur dhe shpresoj që të na ecin gjërat mbarë”.

Në kohën e duhur, në vendin e duhur…

 “Unë shpresoj shumë që të ndodh ashtu si thoni ju dhe do të punoj shumë që të arrijmë objektivat që ka klubi”.

Mendimi juaj për Shkëndijën?

 “Kam mendim shumë të mirë për klubin, sepse Shkëndija njihet në gjitha trojet shqiptare dhe si themi ne është një nga ekipet më të mira në trojet shqiptare. Kështu që për mua është një kënaqësi e madhe të jem pjesë e këtij ekipi”.

Çfarë të bindi të vije te Shkëndija?

 “Më ka bindur projekti i klubit dhe mikpritja shumë e mirë e drejtuesve që më bënë të ndjehem jashtëzakonisht mire”.

Pse Shkëndija kur s’mungonin edhe oferta të tjera?

 “Është e vërtetë, nuk kanë munguar edhe oferta të tjera, por projekti i klubit më pëlqeu. Unë premtoj se do të jap maksimumin për klubin, maksimumin për tifozët dhe shpresoj që të rikthehem ai Eraldo Çinari i dikurshëm që ka kontribuar shumë për ekipin”.

Vjen në Tetovë pas aventurës turke me Samsunspor…

 “Sigurisht, është eksperiencë shtesë për mua. Se sa do të jap unë për klubin dhe për ekipin besoj se do të tregojë koha. Tani për tani është shumë herët të flasim për këto gjëra, por ajo që garantoj unë është maksimumi im dhe kjo pjesë nuk do të diskutohet. Ata që më njohin e dinë shumë mirë se Çinari kur futet në lojë jep gjithmonë maksimumin”.

Sa e njeh grupin e lojtarëve?

 “Të them të drejtën njoh pak a shumë. E njoh Ferhan Hasanin, kemi luajtur bashkë me Bubën, është Bruno Dita me të cilin shumë vite kemi luajtur kundër njëri tjetrit në Superligën e Shqipërisë. Është edhe Cake dhe besoj se të gjithë do të ma bëjnë sa më të lehtë ambientimin në ekip”.

A del Shkëndija kampione?

 “Për tifozët e mrekullueshëm unë dua të them edhe një herë se kualiteti në ekip është dhe unë premtoj se gjithsecili nga lojtarët dhe unë personalisht  i pari do të jap maksimumin për të arritur objektivat që ka klubi. Dihet se objektivat e klubit janë shumë më lartë, titulli kampion, sepse vetë ekipi është i ndërtuar i tillë nga lartë e deri tek i fundit  si me thënë. Kështu që besoj se deri në fund do të jemi konkurentë shumë të fortë për titullin kampion”.