RTSH Sport Live

Esat Mala, përforcimi më i ri i Vllaznisë

  • 13/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Esat Mala, përforcimi më i ri i Vllaznisë
Ish-futbollisti i Partizanit nënshkruan për dy vjet me kuqeblutë e Josës

Ekipet shqiptare vijojnë fushatën e përforcimeve në prag të sezonit të ri të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Teksa ka mbetur vetëm një javë deri në takimet e javës së parë të Kategorisë Superiore, skuadrat po bëjnë përpjekjet e fundit në merkato. E të shtunën në mesditë është mësuar se Esat Mala është futbollisti më i ri i Vllaznisë, me lojtarin, që ka firmosur për dy vite me shkodranët. Ish-futbollisti i Partizanit e mbylli me skuadrën turke të Giresunsporit dhe tani është gati për një tjetër aventurë në Superiore. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi kuqeblu, me Malën që stërvitet prej ditësh me skuadrën e Mirel Josës, me këtë të fundit që kishte kohë që e donte 23-vjeçarin në ekipin e tij. Burime pranë klubit shkodran kanë sqaruar për RTSH-në se klubi turk i ka lëshuar dokumentacionet Malës dhe, për këtë arsye, ai është një lojtar i lirë dhe prandaj ka ardhur nënshkrimi i kontratës dhe zyrtarizim.

Mala është një përforcim i rëndësishëm për skuadrën shkodrane në këtë prag sezoni dhe ai pritet të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit kryeqytetas të shkodranëve. Nuk dihet ende nëse ai do të aktivizohet në miqësoren e së dielës me Skënderbeun, që do të luhet në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, duke nisur nga ora 19:00. Burime në klubin kuqeblu kanë sqaruar për RTSH-në se, me shumë gjasa, afrimi i Malës sinjalizon edhe mbylljen e merkatos së Vllaznisë, teksa çdo rol në fushën e blertë është tashmë i dubluar, sipas kërkesave të Josës.

“Përderisa, deri më 31 gusht, kur mbyllet edhe afati zyrtar i transferimeve, të mos paraqitet ndonjë mundësi e një lojtari që mund të bëjë dallimin, gjasat janë që nuk do të kemi më afrime, edhe për arsye se koha nuk premton më përshtatje me skuadrën, të paktën për javët e para të sezonit”, kanë theksuar në mbyllje burimet në fjalë. Esat Mala e ka nisur karrierën e tij tek Ballkani në Kosovë, për të vijuar më pas në Shqipëri me Partizanin.