Olimpiakos fitoi përballë Parisit në kryeqytetin francez 73-90 duke ruajtur kështu kreun në renditje dhe duke u larguar nga Fenerbahce e vendit të dytë me dy fitore më tepër. Ndeshja nisi menjëherë me shkëputjen e Olimpiakos ku falë koshave të Vezenkov në fund të periodës së parë udhëhiqte me 20 pikë diferencë dhe bullgari kishte arritur në 17 pikë të shënuara në 10 minuta.
Perioda e dytë dha shkëndija për parisienët teksa e ulën diferencën deri në 8 pikë por edhe pse me lojtarët e stolit në parket sërish Olimpiakos e kaloi në 20 pikë avantazhin. Perioda e tretë nis vrullshëm për francezët dhe nisin të dalin në pah lojtarë si Hifi dhe Shorts që kishin qenë anonim në pjesën e parë.
Difenca ulet deri në 9 pikë dhe kjo mjafton për Parisin për të synuar barazimin më tej. Në periodën e katërt parisi është më i shpejtë në sulm dhe arrin ta ulë deri në 6 pikë minimalisht por asnjëherë nuk mundi të bënte hapin e madh për të barazuar duke gabuar në shumë gjuajtje për tri pikë dhe mbi të gjitha duke insistuar deri në fund që të barazonte nëpërmjet trepikëshave që ishin 9 të sakta nga 37 tentativa ose ndryshe 24% saktësi.
Me i kujdesshëm në fund Olimpiakos arrin ta çojë avantazhin me dy shifra duke e mbyllur me 17 pikë diferencë e duke udhëtuar tashmë drejt Barcelonës. Me këtë humbje Parisi qëndron në vend të 7 por me një ndeshje më pak.