RTSH Sport Live

Euroliga, për tre sezone në RTSH

  • 25/01/2024
  • |
  • Basketboll
Euroliga, për tre sezone në RTSH
Transmetuesi publik siguron të drejtat ekskluzive, gjithçka nis sot në 20:45 me Real-Olimpiakos

Rikthehet basketbolli i madh evropian në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Transmetuesi publik ka siguruar të drejtat ekskluzive për 3 sezone të Euroligës së basketbollit për meshkuj dhe sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shijojnë dy prej sfidave më të spikatura çdo javë.

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të meshkujve, Euroliga, ka tashmë Radio-Televizionin Shqiptar si adresën e saj për të gjithë sportdashësit e basketbollit në vend. Kjo sepse transmetuesi publik ka siguruar të drejtat ekskluzive për 3 sezone të koshit kontinanta të meshkujve dhe sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shijojnë dy prej sfidave më të spikatura çdo javë. Gjithçka do të nisë sonte me një përballje spektakolare, siç është ajo midis Realit të Madridit dhe Olimpiakosit.

Kjo përballje, që është në fakt një përsëritje e duelit të ashpër në “4-shen finale” të sezonit të shkuar, e vë skuadrën greke përballë asaj spanjolle, që është kampione në fuqi e kësaj veprimtarie. Natyrisht që Reali i Madridit vjen si favorite në këtë sfidë të vlefshme për javën e 23-të të sezonit të rregullt të Euroligës, teksa ka korrur 19 fitore dhe ka pësuar vetëm 3 humbje në 22 javët e deritanishme, dhe kryeson bindshëm renditjen, i ndjekur nga rivalja spanjolle, Barcelona.

Ndërkaq, Olimpiakosi vjen në sfidën e sotme, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:45, teksa mban vendin e 6-të në renditje, me 12 fitore dhe 10 humbjeje të pësuara deri më tani në këtë sezon. Sidoqoftë, të dyja skuadrat premtojnë spektakël dhe ai do të jetë i gjithi për t’u shijuar vetëm në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në shtëpinë e basketbollit kontinental.