RTSH Sport Live

FIFA dhe UEFA kërkojnë qartësi për situatën në Spanjë

  • 28/03/2024
  • |
  • Futboll Bota
FIFA dhe UEFA kërkojnë qartësi për situatën në Spanjë
Me anë të një letre ata duan të dinë se çfarë masash janë marrë deri tani nga drejtësia spanjolle.

Organizmat më të lartë të futbollit ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA kërkojnë qartësi për situatën e krijuar në Federatën Spanjolle të Futbollit. Me anë të një letre ata duan të dinë se çfarë masash janë marrë deri tani nga drejtësia spanjolle.

FIFA dhe UEFA i kanë dërguar një letër të përbashkët Federatës Spanjolle të Futbollit, ku kërkojnë qartësi për rastet e korrupsionit që lidhen me dhënien e Superkupës së Spanjës, Arabisë Saudite dhe rinovimin e stadiumit në Sevilje gjatë kohës së presidencës së Luis Rubialesit. Sipas As, ata kërkojnë informacion nga federata spanjolle për arsyet e hetimit gjyqësor dhe të specifikojë emrat e personave të përfshirë.

Ndërhyrja e dy organizmave të lartë të futbollit ndërkombëtar vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera javën e kaluar nga autoriteti gjyqësor, për kontratat e dyshuara të parregullta të mbyllura nga Federata e Futbollit në 5 vitet e fundit, gjatë presidencës së Luis Rubiales, përfshirë transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite dhe punimet për rinovimin e stadiumit të Seviljes, në të cilin pretendohen krime të administrimit të padrejtë, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Prokuroria Publike ka kërkuar një dënim prej 2 vitesh e gjysmë ndaj Luis Rubiales, për puthjen ndaj futbollistes Hermoso, kur kombëtarja fitoi kupën e botës më 23 gusht 2023 dhe shantazhet e mëpasme të Rubialesit ndaj lojtares që të pranonte se puthja kishte qenë konsensuale.

Prokuroria kërkoi gjithashtu dënim me një vit e gjysmë burg ndaj drejtorit sportiv të kombëtares spanjolle, Albert Luque dhe drejtorit të departamentit të marketingut, Ruben Rivera, të cilët u pezulluan një ditë më parë nga detyra në Federatën e Futbollit.