RTSH Sport Live

Flamurtari blindon vendin e parë

  • 12/02/2024
  • |
  • Basketboll
Flamurtari blindon vendin e parë
Vlonjatet mundin Partizanin, 74-69, dhe nuk kanë rivalë në kampionat

Flamurtari në basketboll për femra ka blinduar vendin e parë në renditje, teksa të dielën ka fituar ndeshjen me rivalin e drejtpërdrejtë për titull kampion, Partizanin. Shifrat në përfundim të sfidës ishin 74-69 për vajzat vlonjate, por që në fakt ajo që u pasqyrua në fushën e lojës ishte një rivalitet shumë i madh.

Perioda e parë ka përfunduar në favor të Partizanit me rezultatin e ngushtë 15-17. Flamurtari shkundet dhe arrin të përmbysë në përfundim të periodës së dytë, teksa në pushim ka kryesuar, 35-28. Edhe pas pushimit, Flamurtari vazhdon me të njëjtat ritme duke thelluar në 59-43. Partizani kërkon të rifutet në lojë në periodën e katërt, por është e pamundur dhe përfundimisht, 74-69 për Flamurtarin. Vlonjatet konsolidojnë kreun e renditjes, që vlen shumë më pas për fazën Play-off për titull kampion.