RTSH Sport Live

Flamurtari, kampion i padiskutueshëm

  • 03/05/2023
  • |
  • Basketboll
Flamurtari, kampion i padiskutueshëm
Vlonjatet ngrejnë trofeun e 25-të në koshin e vajzave, ndërsa dominojnë të gjithë sezonin

Flamurtari kampione e Shqipërisë në koshin për femra, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka vlerësuar të gjithë kampionatin duke i falënderuar të gjithë ekipet pjesëmarrëse

"Ishte një kampionat mjaft interesant. Një kampionat që pati një garë do të thoja të shkëlqyer. Pati një rivalitet, i cili ishte ndër më të bukurit dhe Flamurtari e udhëhoqi garën, ndërsa e fitoi këtë ndeshje me meritë", pohon i pari i basketbollit shqiptar.

E titulli kampion ka gëzuar pa masë të gjithë vlonjatët. Mbi të gjitha shefin e klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso, trajneren e vajzave kuqezi, Elona Hasanaj dhe kapitenen Tea Memushaj

"Padyshim që ky ka qenë viti më i vështirë për t'u fituar titulli kampion. Partizani kishte bërë ekip të pamendueshëm për kampionatin shqiptar. Kjo si nga shpenzimet, ashtu dhe cilësia e lojtarëve. Por nuk fitoi eksperienca, por fryma e grupit, puna e palodhur e trajneres dhe loja kompakte ku vajzat asnjë ditë nuk kanë çeduar për të arritur majat në këtë turne", thotë Kaso.

"Flamurtari është një ekip që luan në sinkron në grup. Janë vajza që dinë të dallojnë dhe të zgjidhin situata shumë mirë. Luajtëm kundër Partizanit, që di të luajë individualisht shumë mirë dhe është një ekip shumë i mirë. Do kisha patur dëshirë që këtë kupë ta ngrinim në Vlorë", shpjegon Hasanaj.

"Unë personalisht mendoj se kjo ishte finalja më emocionuese. Kjo krahasuar me të gjitha finalet e kampionatit, që unë kam luajtur. E përgëzoj Partizanin për luftën e për atë që ka bërë duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në gjysmëfinale. Finalet kanë qenë të qeta dhe shumë të mira", reagon Memushaj.

Liga Unike i vetmi trofe i humbur nga Flamurtari. E ky është pengu i Klevis Kasos dhe trajneres Elona Hasanaj

"I vetmi peng ishte që nuk e fituam Ligën Unike në 100-vjetorin e klubit. Ishin 100 vite jubile të këtij klubi me histori kaq të madhe, por megjithatë fitimi i kampionatit ishte "qershia mbi tortë" dhe për mendimin tim e zbeh atë Ligë Unike, që ne nuk e fituam", thotë jo pa keqardhje Klevis Kaso.

"Gabuam për të marrë Ligën Unike, ishin gabimet tona të parekuperueshme. Por kjo nuk do të thotë se nuk jemi më të mirët", tregon trajneria vlonjate Hasanaj.

I pari i basketbollit shqiptar ka shpjeguar dhe faktin se lojtaret e huaja janë të mirëpritura në kampionatin vendës, ndërsa do të jetë rritje për basketbollistet shqiptare.

"Një garë që mendoj se po rritet dhe natyrisht vajzat shqiptare duhet të arrijnë nivelin e këtyre lojtareve të huaja. Kjo nuk do të thotë se ne do të frenojmë lirinë e pjesëmarrjes dhe të krijimit të ekipeve të basketbollit, pasi këto janë burim frymëzimi dhe forcë për ekipet e vogla në mënyrë që ato të arrijnë atje ku duhet", përfundon Ponari.   

E kështu, Flamurtari është shpallur kampion për herë të 25-të në basketbollin e femrave në Shqipërinë.